LAJMI I FUNDIT:

Modric: Ronaldo punëtor i madh, Zidane më ndihmoi në lojën dhe teknikën time

Modric: Ronaldo punëtor i madh, Zidane më ndihmoi në lojën dhe teknikën time

Luka Modric gjatë vitit të kaluar ka pasur paraqitje të jashtëzakonshme me fanellën e Real Madridit.

Mesfushori kroat është zgjedhur si mesfushori më i miri në botë për vitin e kaluar në saje të paraqitjeve të mira me madrilenët.

Lojtari ka folur për të arriturat e vitit të kaluar, ku fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligan, ndërsa nuk e ka lënë anash pa thënë dy tre fjalë edhe për trajnerin, Zinedine Zidane dhe sulmuesin, Cristiano Ronaldon.


Ai ka pohuar se është kënaqësi të jesh nën urdhrat e trajnerit francez pasi që sikur lojtar ishte ndër më të mirët në botë.

“Duke punuar me një legjendë si Zidane është një nder, sepse ai është një ndër lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Ne ishim shumë të ngazëllyer kur mësuam se do të ishte trajneri ynë dhe prania e tij ka qenë gjithmonë një motivim i madh”.

“Sigurisht që më ka ndihmuar për të përmirësuar lojën dhe teknikën time. Unë gjithmonë jam i gatshëm të dëgjoj këshillat e tija dhe marrëdhënia jonë në ekip është shumë e fortë”, tha Modric për four-four-two.

Kroati ka folur edhe për Ronaldon, duke zbuluar se është një sportist i madh dhe se është i kënaqur që e ka bashkëlojta.

“Para së gjithash është një person fantastik dhe gjithmonë i gatshëm të të ndihmoj. Etika e tij e punës është e pakrahasueshme, shpenzon shumë kohë në terren dhe në stërvitje për të siguruar që aftësitë e veta gjithmonë do të jenë në nivelin më të lartë”.

“Për fat të mirë, nuk është lënduar rëndë, e gjithë kjo shkaku i punës dhe talentin. Natyrisht, duke e pasur atë në ekip është e pabesueshme. Ai është një lojtar i nivelit të lartë dhe është kënaqësi të luaj me të”, tha Modric.

Ndryshe, 32-vjeçari deri më tani ka pasur 157 paraqitje dhe ka shënuar nëntë gola. /Telegrafi/