LAJMI I FUNDIT:

Fitore e madhe e Lirisë, Feronikeli në krizë

Fitore e madhe e Lirisë, Feronikeli në krizë

Liria e Prizrenit ka arritur një fitore të madhe në udhëtim te Feronikeli 0-1.

Ndeshja nisi me iniciativën e vendasve të cilët kërkonin golin e epërsisë që nga minuta e parë.

Qemail Elshani kishte rastin më të mirë në pjesën e parë për vendasit por nuk goditi mirë dhe rezultat mbeti 0-0.


‘Nikli’, rrezikoi disa herë portën e vendasve dhe kishte iniciativën gjatë gjithë pjesës së parë por pa arritur të gjejë golin.

Kësisoj 45 minutëshi i parë i kësaj sfide përfundoi në barazim pa gola 0-0.

Mysafirët kanë befasuar vendasit pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë.

Sulmuesi i ardhur nga Shqipëria, Artur Magani arriti të shënoj në portën e Faton Malokut për 0-1.

Vendasit vazhduan të atakojnë portën e mysafirëve por pa arritur të gjejnë golin.

Në minutën e 68 sulmuesi Mendurim Hoti u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja duke mbetur ‘Nikli’ me 10 futbollistë.

Rastin më të mirë për vendasit e pati Behar Maliqi në minutën e 90-të, por dështoi të barazoj shifrat.

Kësisoj Liria ka marrë tre pikëshin e parë këtë vit si mysafire duke u ngritur në pozitën e gjashtë me 15 pikë të tubuara.

Ish-kampioni kosovar, Feronikeli ka gjashtë ndeshje që nuk di të fitoj dhe aktualisht zë pozitën e nëntë me 12 pikë.

Javën e ardhshme ‘Nikli’, luan derbin lokal me Drenicën, ndërsa Liria pret Llapin. /Telegrafi/