LAJMI I FUNDIT:

PDK: E përkrahim Bekim Jasharin

PDK: E përkrahim Bekim Jasharin

Dega e PDK-së në Skenderaj ripërsërit se e gjithë Partia Demokratike e Kosovës e përkrah kandidatin e pavarur për Kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, se PDK po i bën komplot kandidatit të pavarur Bekim Jashari, kjo parti i ka quajtur qesharake.

“PDK në Skenderaj, bashkë me kryetarin e degës, z. Sami Lushtaku, në momentin e parë që z. Bekim Jashari ka shfaqur interesimin e tij për kandidim në zgjedhje lokale, janë deklaruar publikisht se Skenderaj e ka për nder që ta ketë për kryetar z. Jashari. Gjithashtu, për hir të respektit për familjen Jashari, ne kemi deklaruar se në asnjë rrethanë nuk do t’i konkurrojmë atij. Përkrahjen për z. Jashari e ka shfaqur publikisht edhe Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, në takimin hapës të fushatës zgjedhore në Skenderaj, duke kërkuar nga të gjithë anëtarët e PDK-së dhe strukturat drejtuese të saj, që ta përkrahin pa rezervë z. Bekim Jashari”, thuhet në reagimin e PDK-së në Skënderaj.


Në reagim theksohet se PDK është “e bindur se qytetarët e kanë të qartë se komplotet janë mjeshtri e partisë Vetëvendosje, e cila çdo ditë i bënë ato në dëm të shtetit të Kosovës, për të cilin qytetarët dhe posaçërisht familja e Bekim Jashari dhanë gjithçka”.

“Ideologjia komplotiste e Vetëvendosjes po tentohet të instalohet kudo, por pafuqia për të bërë këtë në Skenderaj, ku PDK ka bastionin më të fuqishëm të saj, si duket i paska bërë nervozë një grusht aktivistësh të manipuluar të tyre në Skenderaj”, thuhet tutje në reagim.