LAJMI I FUNDIT:

Zbulohen djegësit e palmave në Strugë

Zbulohen djegësit e palmave në Strugë

Është bërë fenomen që përsëritet tashmë pothuajse çdo javë zjarrëvënia e qëllimshme e palmave në qytetin e Strugës. Së fundi, radhën e kishte një palmë para godinës së Komunës së Strugës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gazeta Koha njofton se sipas dëshmitarëve, ishin tre persona që qëllimisht i vunë zjarrin mbështjellësit të bimës dhe më pas u larguan. Dëmtimi i pronës publike në qytetin e Strugës nga individ të pandërgjegjshëm apo grupe të caktuara, ka marrë një dimension shqetësues për faktin se po përsëritet në shumë drejtime.

Kështu përveç dëmtimit të trotuareve dhe vjedhjes së pllakave, vjedhjes së koshave të mbeturinave, dëmtimit të sinjalistikës rrugore, vjedhjes së luleve dhe dëmtimit të gjelbërimit në vazhdimësi dëmtohen palmat e mbjella, të cilave në shumë raste u është vënë zjarri.


Para disa kohësh, drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Higjienës, Garip Kaba, informoi se një keqbërës është identifikuar si personi përgjegjës për djegien e qëllimshme të këtyre bimëve të mbjella para Këshillit komunal.

“Ky rast duhet të shërbej si një mësim që të gjitha ata që dëmtojnë pronën publike apo palmat në mënyrë të qëllimshme duhet të marrin dëmtimin e merituar. Ne si kompani bëjmë të pamundurën që Struga të jetë një qytet i pastër dhe i rregullt në çdo drejtim dhe në këtë drejtim duam edhe mbështetjen e qytetarëve”, thotë ai.

Nga pushteti vendor për këtë situatë në disa raste kanë reaguar duke thënë nuk është rasti i parë , që ndodhin akte të tilla vandale në dëm të pronës publike dhe të njëjtat i kemi denoncuar./Telegrafi/