LAJMI I FUNDIT:

Projekti filmik ‘Cirku fluturues’ merr pjesë në ALBASCRIPT

Projekti filmik ‘Cirku fluturues’ merr pjesë në ALBASCRIPT

Në kuadër të uorkshopit të organizuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe CINEUROPA – i titulluar ALBASCRIPT – që do të mbahet gjatë festivalit të filmit ballkanik në Pogradec nga 1-3 gusht, do të merr pjesë edhe projekti ‘Cirku fluturues’. me skenar dhe regji të Fatos Berishës dhe producente Vjosa Berishën (bashkëprodhim ky Kosovë-Shqipëri-Zvicër-Kroaci).

Projekti filmik i metrazhit të gjatë ‘Cirku fluturues’ është mbështetur për zhvillim nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, e cila pastaj e mbështeti edhe për prodhim. Skenari i filmit trajton një rrugëtim të një grupi të aktorëve kosovarë, në kohë të rrezikshme, pak para luftës së Kosovës.

‘Projekti ynë, sikurse edhe vet ngjarja në skenar, ka pasur rrugëtimin e vet interesant. Kemi punuar për dy vjet në zhvillimin e skenarit me disa ekspertë shumë të rëndësishëm evropian[ dhe kemi participuar në disa punëtori shumë të mira, sikurse ajo e ‘EAVE on Demand’ dhe ‘European Script Meetings’. Do ta shfrytëzojmë edhe pjesëmarrjen në ALBASCRIPT për të mbledhur sugjerime dhe këshillat e fundit para se të hyjmë në fazën tjetër, atë të prodhimit”, deklaroi Fatos Berisha, skenarist dhe regjisor i projektit ‘Cirku fluturues’.


Punëtoria ALBASCRIPT është e fokusuar në zhvillimin e skenarit dhe gjatë tre ditëve tutorët Isabelle Fauvel dhe Giovanni Robbiano (për film të gjatë) dhe Izer Aliu (për film të shkurtër) do të punojnë me skenaristët e gjashtë projekteve të selektuara. Koordinator i projektit është Andamion Murataj.

Punëtoria ALBASCRIPT mbahet në kuadër të festivalit “Balkan Film & Food Festival”, Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë që do të zhvillohet në Pogradec të Shqipërisë nga data 31 korrik-5 gusht.