LAJMI I FUNDIT:

Pas pesë vjetësh kompletohet Autoriteti i Konkurrencës

Pas pesë vjetësh kompletohet Autoriteti i Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës, si një institucion i rëndësishëm për rregullimin e tregut në vend, ka më shumë se pesë vjet që nuk është funksional. Moskompletimi i anëtarëve të këtij autoriteti, nga ana e legjislativit dhe ligjvënësve, ka shkaktuar dëme të mëdha në treg, ku mundësitë për krijim të monopolit, konkurrencës jo të drejtë kanë qenë shumë të mëdha.

Në fillim të muajit qershor, Kuvendi me propozim të Qeverisë kishte zgjedhur anëtaret e rinj të autoritetit.

Deputeti nga komisioni për Zhvillim Ekonomik, Raif Çela, ka thënë se mungesa e autoritetit të konkurrencës ka ndikuar në masë të madhe edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.


Sipas tij, në mungesë të këtij institucioni në vend ka lulëzuar monopoli. “Mungesa e Komisionit të konkurrencës i cili problem që zvarritet pothuajse 5 vjet, sidomos tri vitet e fundit nuk ka farë udhëheqje të Autoritetit të Konkurrencës, nuk ka fare bord. Tregun e Kosovës tanimë e ka kapluar monopoli për shkak të mungesë të një rregullatori që ta rregulloj tregun edhe t’i eliminoj dukurit monopoliste. Bizneset të shumta kanë pasoja tepër të mëdha për shkak të kësaj”.

“Krejt këta ndikojnë në një mënyrë që të mos ketë investime të bollshme që zhvillimi ekonomik të jetë shumë më i ngadalshëm se sa ai i nevojshme sepse dihet mirëfilli sepse duhet të ketë zhvillim shumë më të madh ekonomik në mënyrë që të rimëkëmbët vendi .”, tha Çela.

Samir Krasniqi, ish-kryetar i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, tregon se bizneset në vend, ballafaqohen me shumë probleme me mosfunksionimin e institucioneve përkatës.

“Nuk është vetëm Autoriteti i Konkurrencës, janë edhe disa institucione të tjera të pavarura që nuk funksionojnë dhe të gjitha këto ndikojnë negativisht tek bizneset. Konkurrueshmëria nuk është lojale, ka pengesa të ndryshme.. ..me vetë faktin që një autoritet i tillë nuk funksion, natyrisht që mund të vazhdojnë monopolet e tilla”, tha Krasniqi.

Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, i cili ka më pak se një muaj që e ka marrë detyrën, tregon se menjëherë kanë filluar me punë dhe është zotuar se ky autoritet do të veprojë konformë rregullativave të Bashkimit Evropian.

“Kemi pranuar shumë kërkesa nga bizneset, kemi kërkesa nga bizneset të cilët janë ankuar për çrregullim eventual. Fillimisht duhet ta bëjmë një sistemim dhe organizim të lëndëve që i kemi në dispozicion dhe t’i përcaktojmë prioritete sipas ligjit në fuqi. Një ndër aktivitet kryesore do të jetë që ligjin për mbrojtje të konkurrencës ta përafrojmë me ligjet e Bashkimit Evropian”, tha Prestreshi.

Autoriteti i Konkurrencës, një nga institucionet kryesore të shtetit, qysh prej themelimit të saj kishte probleme si me anëtarë, menaxhimi, tani së fundmi kanë telashe edhe me hapësirat e veprimit. Aktualisht ky institucion gjendet në hapësirat e Ministrisë së Diasporës që ndodhet tek Muzeu në kryeqytet. Sipas Prestreshit, ata deri në muajin tetor të këtij viti do të vendosen në një hapësirë tjerët. /Telegrafi/