LAJMI I FUNDIT:

Të mëson të jetosh me të vdekurin dhe me vdekjen

Të mëson të jetosh me të vdekurin dhe me vdekjen

Prestigjiozja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull romanit të Kadaresë, “E penguara”, që në gjuhën angleze mban titullin “Vajzë në ekzil”.

Nën titullin “Një vajzë nën ekzil-të mësosh të jetosh me të vdekurin”, në shkrim thuhet se “melodrama, tragjedia dhe miti ndriçojnë marrëdhëniet në mes individit dhe shtetit në një roman të mirë të shkrimtarit shqiptar”.

“Kam provuar”, është shprehur Ismail Kadare në një intervistë të vitit 1998 për “Paris Review”, “të bëj një lloj sinteze mes tragjedisë së madhe dhe grotesku”. Në këtë (libër), për mirë dhe për keq, ai ia ka dalë mbanë.


Gazeta shkruan se Kadare është një shkrimtar që merret me gabimet e tmerret njerëzore, në stile dhe forma që dikush do t’i cilësonte të sintetizuara. Lindur në Shqipëri dhe me mbasi ka jetuar për një periudhë të konsiderueshme në Paris, ai është një nga ata shkrimtarë të rrallë me reputacion ndërkombëtar, që ka arritur të shmangë kurthet postmoderne të “letërsisë botërore”. Puna e tij mbetet vërtetë e veçantë dhe sfiduese. Kjo nuk e bën leximin të lehtë.

Kadare ka shkruar një fiksion të vështirë dhe shqetësues për shumë vite tanimë: romani i tij i parë u botua në Shqipëri në vitin 1963. Ngadalë, gradualisht, përkthimet në frëngjisht dhe në anglisht e kanë sjellë atë para një audience gjithnjë e më të gjerë. Në vitin 2005 ai fitoi çmimin “International Man Booker prize”. Vitin e kaluar u vlerësua me çmimin prestigjioz “Jerusalem Prize”. Ai është përmendur disa herë si nobelist i mundshëm.

“Librat e tij – dhe unë i gjykoj ata kryesisht në bazë të përkthimeve dhe përkthimeve nga përkthimet, zakonisht nga frëngjishtja prej shqipes origjinale – janë të çuditshëm, por obsesiv dhe përsërisin shqetësimet e tyre”, thuhet në artikull.

Në veçanti, Kadare kthehet vazhdimisht për të eksploruar mënyrat në të cilat tragjedia klasike dhe miti, brenda natyrës së besnikërisë dhe tradhtisë, si dhe detyrat e obligimet e individit ndaj shtetit, mund të veprojnë nën regjimet bashkëkohore. Ka pasur triumfe të mëdha: si “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pallati i ëndrrave”.

“Vajza në ekzil” është përkthyer nga shqipja prej John Hodgson, i cili ka përkthyer disa libra të Kadaresë. Në anglisht, Kadare tingëllon i saktë, si dikush që ka kërkuar dhe shumëkërkuar për fjalën e duhur.

“Vajzë në ekzil” është një libër që të mëson të jetosh me të vdekurin dhe me vdekjen, me hijen dhe me humbjen. Është rreth fantazmave që bezdisin njerëz, vende, shtete. “Asnjë dramaturg nuk kishte guxuar të bënte një shikim të tillë të fantazmës në mijëra vite. Kadare është një njeri i dyfishtë, që shkruan për dy vetvete të ndara”. /BW/