LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës: Po përfundojmë projektet e lëna në gjysmë

Komuna e Prishtinës: Po përfundojmë projektet e lëna në gjysmë

Nëpërmjet një njoftimi për media dhe disa fotografive, komuna e Prishtinës po tregon se ka bërë përmirësime infrastrukturore të cilat sipas tyre, janë projekte që kanë mbetur në gjysmë nga qeverisja e kaluar.

Në njoftim thuhet se qeverisja e re e Komunës së Prishtinës, prej ditës qa ka marr mandatin, ka evidentuar ndër të tjera shumë projekte të lëna në gjysmë, kontrata të shkëputura pa arsye, përderisa situata në terren kërkonte intervenim të menjëhershëm.


“Problem i tillë ishte edhe ai i nyjës së rrugëve të cilat nuk u përfunduan nga qeverisja e kaluar për shkak të një çështjeje pronësore, afër shkollës fillore “Hilmi Rakovica”. Në po të njëjtin vend, kanalizim ishte i pa rregulluar, dilte në sipërfaqe në formë të moçalit duke rrezikuar banorët e lagjes për ndonjë epidemi eventuale. Projekti për riparimin e kanalizimit ka ekzistuar që nga koha e qeverisjes së kaluar, por nuk është përfunduar asnjëherë. Kontrata ishte ndërprerë nga qeverisja e kaluar pa ndonjë arsye”, thuhet në njoftim.

Thuhet se problemi i pronës por edhe ai i kanalizimit është zgjidhur, ndërsa tash është në përfundim e sipër edhe ndërtimi i rrugës dhe kanalizimit në këtë pjesë të qytetit dhe nuk ka më kundërmim të ujërave të zeza.

Na lagjen Mati 1, rruga “Enver Maloku”, është projekti tjetër që sipas komunës nuk është përfunduar nga qeverisja e kaluar dhe kjo e gjitha sipas tyre për shkak të keqprojektimit.

“Projektuesi i kësaj rruge kishte ulur nivelet për 2 metra, duke rezultuar në pjerrtësi shumë të madhe të rrugës, përkatësisht 12%. Për të përmirësuar këtë gjë, u desh që ta riprojektojmë të gjithë projektin. Pas riprojektimit, punët po vazhdojnë sipas kontratës. Tashmë ka filluar asfaltimi sipas kontratës “Krahu djathtas i rrugës Enver Maloku”, si dhe kanë filluar punimet në pjesën e dytë të rrugës”, thuhet më tutje në njoftimin e komunës së Prishtinës. /Telegrafi/