LAJMI I FUNDIT:

Rriten kapacitetet punuese në ndërtimin e autostradës

Rriten kapacitetet punuese në ndërtimin e autostradës

Ministri i Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota ka vizituar punimet e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Ferizaj-Hani Elezit, në nyjën ndërlidhëse të autostradës R7 dhe autostradës R6 në fshatin Preoc në Fushë Kosovë.

Mujota tha se në këtë rrugë është shtuar numri i makinerive dhe numri i punëtorëve dhe se brenda vitit presin që t’i realizojnë planet dhe parashikimet e tyre.
Sipas tij, qytetarët e Prishtinës nga gjysma e vitit të ardhshëm do të kenë kyçje shumë të lehtë në këtë autostradë.

“Është kënaqësi që sot kemi parë një rritje të madhe të kapaciteteve punuese në pjesën më të rëndësishme, më komplekse. Ndërtimit në nyjën lidhëse të autostradave që do të jetë më e madhja në regjion edhe tashmë punët kanë filluar të marrin kahen e vet ashtu siç ka kapacitetet konsorciumi dhe natyrisht sipas dinamikës së paraparë edhe progresi është arritur plotësisht në përputhje me programin dhe parashikimet tona”, tha ai.


Mujota theksoi se brenda vitit presin të realizohen parashikimet për realizimin e buxhetit për këtë segment rruge. “Në këtë segment do të përqendrohen punët pikërisht këtu me një intensitet më të shtuar sepse do të bëhet kyçja e Prishtinës në autostradë në këtë pjesë ku jemi edhe deri në fund të vitit do të mund të kemi edhe pjesë të mëdha të punëve të vrazhda të përfunduara”, ka thënë ai.
Ai shtoi se për tri viteve do ta përfundojnë projektin e autostradës në Hanin e Elezit.

Kurse, Chris Jennios, menaxher i projektit, falënderoi ministrin Mujota për bashkëpunim dhe tha se këto bashkëpunime janë duke u rritur vazhdimisht.

“Që nga momenti që kemi filluar në fillim të korrikut ju mund të shihni që kemi bërë mjaftueshëm progres. Ne kemi angazhuar, jemi duke rritur angazhimet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe ekipin e tyre të supervizimit të punimeve dhe siç e shihni po punohet në gjashtë vende të ndryshme që janë rreth këtij intergjengji për të qenë në të njëjtin drejtim me planet që i kemi paracaktuar brenda këtij viti./Telegrafi/