LAJMI I FUNDIT:

Zjarrfikësit në grevë, kërkojnë kushte më të mira në punë

Zjarrfikësit në grevë, kërkojnë kushte më të mira në punë

Si pasojë e kushteve jo të mira të punës, zjarrfikësit në të gjitha Komunat e Kosovës përveç ata të Komunës së Vushtrrisë dhe Prizrenit, kanë hyrë sot në grevë një orëshe. Muharrem Beka, kryetar i sindikatës së zjarrfikësve të Kosovës, tha se kjo është vetëm një grevë paralajmëruese dhe nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, atëherë ata do të ndërmarrin hapa tjerë, më radikal.

Ndërsa si problem thekson dhe mos definimin se nën menaxhim të kujt janë zjarrfikësit, të nivelit qendror apo lokal, gjë e cila tash e sa vite, po iu shkakton probleme të mëdha dhe se kjo ka bërë që të mos ketë një buxhet të planifikuar për ta
“Sindikata e zjarrfikësve të Kosovës, ka organizuar grevë, për shkak të pakënaqësive të krijuara. Për shkak të situatës dhe problemeve të akumuluara vite me radhë. Greva organizohet në të gjitha komunat, në përjashtim të Prizrenit dhe Vushtrrisë, të cilët nuk e kanë përkrah. Qëllimet e tyre nuk i dimë. Kjo situatë e krijuar dhe mos zgjidhja e problemeve dhe mos pasja e adresimit se ku t’i artikulojmë që nga viti 2012, në fakt nuk e dimë se as kush menaxhon me këtë shërbim. Pikërisht ky vakum institucional i krijuar na shkakton mjaftë probleme. Jemi pa status të zgjedhur. Jemi si shërbyes civil. Mandej pajisja me uniforma, me mjete personale mungojnë. Automjete të viteve të 70-ta dhe kryesisht donacione. Kjo gjendje na ka nxit dhe detyruar që të reagojmë, të shprehim pakënaqësi ”, tha ai.
Edhe kryetari i Federatës Sindikale të Administratës Publike të Kosovës, Ndue Kalaj tha se problem kryesor mbetet ajo se nën menaxhim të kujt janë, zjarrfikësit, të nivelit lokal apo qendror. Dhe se kjo greve sipas tij do të jetë si paralajmërim për institucionet e vendit, të cilat duhet që sa më shpejtë të ndërmarrin masa, në mënyrë që të dilet nga kjo gjendje e krijuar dhe se zjarrfikësit, të dinë se kujt duhet t’ia adresojnë problemet e tyre.

“Arsye që sot këta zjarrfikës janë tubuar është që t’ua bëjnë me dije institucioneve, që situatat nuk është e mirë dhe se këta e kanë ndërmend t’i radikalizojnë veprimet në qoftëse institucionet tona, brenda afatin të cilin këta do ta përcaktojnë, e që këshilli grevist me siguri se do të marrë vendime, do të veprojnë me veprime tjera që ua lejon dhe ligji mbi grevat, njëkohësisht dhe ligji mbi organizimin sindikal në Kosovë”, tha ai.


Ndërsa zjarrfikësi Lulëzim Qollaku, thotë se tash e sa vite ata po punojnë me pajisje të vjetruara dhe të pa testuara, gjë e cila sipas tij, paraqet rrezik mjaftë të lartë për ta.

“Sot jemi në grevë, për arsye se kushtet në vend të punës, janë jo të favorshme për të punuar, këtë punë. Mjetet janë të stërvjetruara. Benefitet nuk na paguhen. Ndërrimet e natës nuk na paguhen. Orët shtesë jashtë orarit nuk na paguhen. Asgjë nuk paguhet këtu, vetëm rrogën bazë që e marrim dhe një rrezikshmëri që e kemi. Tjetër asgjë nuk marrim. Punojmë 24 orë, shtatë ditë në javë, asgjë nuk paguhet edhe pse punojmë festave dhe vikendeve”, tha ai.

Kërkesat e Sindikatës së zjarrfikësve janë rregullimi i statusit nga shërbyes civil në atë profesional. Definimi i kompetencave menaxhuese, si dhe sigurimi i buxhetit për zjarrfikësit.

Përmirësim të kushteve të punës, të sigurohen pajisje personale, pasi që ato që i përdorin tani janë të pa testuara. Të caktohet një komision profesional, i pavarur që të verifikoj gjendjen teknike të pajisjeve dhe automjeteve të zjarrfikësve. Të nivelizohet koeficienti për të gjithë zjarrfikësit në komunat e Kosovës, dhe të bëhet ngritja e tij nga 4.83 në 6. Të bëhet gradimi sipas funksionit. Të paguhen ndërrimet e natës si dhe festat shtetërore. Të sigurohet shujta në vendin e punës si dhe të rritet numri i zjarrfikësve sipas udhëzimit administrativ, një zjarrfikës në 1500 banorë. /Telegrafi/