LAJMI I FUNDIT:

Kombibusët ilegalë në kryeqytet

Kombibusët ilegalë në kryeqytet

Qarkullojnë fshehurazi. Zgjedhin rrugët në të cilat kanë më pak rrezikshmëri të ekspozohen. Janë këta kombibusët, me anë të të cilëve shumë familje e sigurojnë ekzistencën dhe bukën e gojës. Këta kombibusë veprojnë në mënyrë ilegale. Në komunën e Prishtinës po ashtu ekzistojnë lloje të tilla të qarkullimit.
Nuk i paguajnë as tatim shtetit dhe janë të përndjekur nga policia, kurdo që këta të fundit hasin në ta. Për kombibusët të cilët qarkullojnë ilegalisht, janë të parapara gjobat të cilat fillojnë nga shuma 65 euro.

Shumën e dënimit e cakton Gjykata për Kundërvajtje. Caktimi i shumës së gjobës bazohet në ligjin mbi transportin publik të udhëtareve. Kjo gjobë vihet varësisht nga neni dhe shkelja e ligjit. Nëse një kombibus operon jashtë vendit të tij, atëherë shuma e dënimit është më e madhe. Çmimi i udhëtimit në këta kombibusë është i njëjtë sikurse ai i autobusëve legalë, shkruan Tribuna.

“Na veç po duhet me dal fshehtë. Unë e kam pasur lejen e punës 15 vjet, por komuna e Prishtinës nuk ma ka lëshuar vjet dhe as këtë vit, për interesa të veta personale. Unë nuk i kam të qarta këto interesa dhe nuk e kuptoj përse”, – tha kështu F. G., shofer i një kombibusi ilegal në Prishtinë. Ai tutje shtoi se nga kjo punë e siguron mbijetesën e familjes. “Edhe pse nuk më është dhënë leja e punës nga Komuna, më është dashur të vazhdoj të punoj ilegalisht. Nëse nuk punoj atëherë kush do ta mbajë familjen time. Kush do të kujdeset për ta. Komuna, jo tybe”, tha Gojani. /Telegrafi/