LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Kopiliqit kundër privatizimit të tokave

Banorët e Kopiliqit kundër privatizimit të tokave

Privatizimi i 38 hektarëve tokë në fshatin Kopiliq i Epërm i Skënderajt ka nxitur reagimin e 60 familjeve të këtij fshati, të cilat pretendojnë se prona është e tyre me dokumente. Banorët këtë ia kanë bërë me dije AKP-së, por edhe përfituesit, Ukshin Lushtaku, i cili i ka blerë pronat nëpërmjet një banori të Turiçecit.

Sipas banorëve, Ukshini, vëllai i kryetarit të Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, qëndron pas këtij privatizimi, në bazë të pohimeve të këtij të fundit dhe një dokumenti të cilin ata pretendojnë ta kenë parë në polici.

Mbi 20 banorë të enjten e kanë paraqitur hallin e tyre edhe në Stacionin e policisë, 3 prej të cilëve janë pranuar në bisedë. Banorët para se të hynin në stacionin e policisë i kanë treguar gazetës së kanë ardhur me qëllim që t’i tregojnë policisë se nuk do ta lejojnë personin që e ka blerë tokën e tyre ta punojë askush, pasi i kanë tapitë e tokës, shkruan sot Koha Ditore.


Ata mandej kanë treguar se kishin ofertuar vetë bashkërisht për privatizim përmes një bashkëfshatari të tyre, por AKP-ja tenderin ia ka dhënë mikut të Ukshin Lushtakut. Bashkëvendësi i tij, Rushit Isufi, ka treguar se kishin bërë shumë përpjekje për t’u marrë vesh, por nuk ia kanë dalë. /Telegrafi/