LAJMI I FUNDIT:

Gjermania drejt rritjes zero

Gjermania drejt rritjes zero

Morali i biznesit në Gjermani u dobësua edhe gjatë muajit tetor, për të gjashtin muaj me radhë, duke prekur nivelin më të ulët në 2 vitet e fundit.

Sipas analistëve, ky raport sugjeron se ekonomia më e madhe në Europë mund të publikojë një rritje ekonomike 0% në tremujorin e katërt të këtij viti. Indeksi Ifo, që mat klimën e biznesit dhe bazohet në vëzhgimin e rreth 7 mijë firmave gjermane, ra në 103.2 pikë në tetor nga 104.7 që ishte një muaj më parë. Ky është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2012 dhe rezulton poshtë parashikimeve të analistëve që prisnin një rënie në të lehtë, deri në 104.3 pikë. “Jemi në një spirale rënëse sa i përket humorit të bizneseve”, thuhet në raport.

Sipas analistëve, arsyet kryesore të rënies së këtij treguesi janë: tensionet gjeo-politke, dobësia në Eurozonë, politikat ekonomike në Gjermani dhe shqetësimet për deflacionin. Disa institucione ndërkombëtare, si Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë ulur parashikimin për rritjen ekonomike në Gjermani dhe tashmë qeveria pret që ekonomia të zgjerohet me 1.2% për këtë vit. Pas kontraktimit me 0.2% në tremujorin e dytë të këtij viti, ekspertët janë të shqetësuar se Gjermania mund të shkojë në një recesion teknik, që do të thotë rënie e aktivitetit ekonomik për dy tremujorë radhazi.


Ndërkohë që vazhdon tensioni midis Perëndimit dhe Rusisë, ku prodhuesit gjermanë dërgojnë rreth 10% të produkteve të tyre, perspektiva për pjesën e mbetur të vitit është akoma më e zymtë. /Telegrafi/