LAJMI I FUNDIT:

AKP blerësi i minierës si përmbushi zotimet

AKP blerësi i minierës si përmbushi zotimet

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKB) reagon ashpër ndaj deklaratave sic i aknë quajtur ata “të pavërteta” të kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini të dhëna dje në një konferencë për media.

Agjencia i vlerëson deklaratat e Shahinit si të pamatura, të ngutshme, të njëanshme, të pabaza dhe pa asnjë argument dhe që dezinformojnë opinionin publik në dëm të imazhit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si institucion i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke kontribuar edhe në dëmtimin e imazhit të vendit në përgjithësi.

“Është e habitshme për AKP-në se si kryetari i AKB-së, Agim Shahini me deklaratat e tij del në mbrojtje të ish-blerësit të Ndërmarrjes ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’, i cili e ka shkelur kontratën e shitblerjes me AKP-në, ndërsa kritikon dhe akuzon pa asnjë bazë AKP-në që ka vepruar në përputhje me obligimet ligjore. ‘MIM Goleshi’ ishte privatizuar përmes metodës spin-off special në fund të vitit 2007 me çmim 810,000 euro, obligimi për investime me kontratën e nënshkruar ishte në shumën 16,200,000 euro gjatë periudhës dy vjeçare , ndërsa zotimi i punësimit: 40 punëmarrës në gjashtë muajt e parë, 178 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të parë dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit”, thotë AKP-ja në një komunikatë për media.


Këto zotime janë premtime që nuk ia ka imponuar Agjencia, por i ka dhënë vet blerësi dhe mbi këtë bazë ai ishte shpallur fitues i përkohshëm i ndërmarrjes.

“Agjencia ka bërë dy auditime në këtë ndërmarrje për të parë se në çfarë niveli janë përmbushur këto zotime të blerësit të përcaktuara në kontratën e shitblerjes. Nga auditimi i parë për periudhën 2 vjeçare deri në dhjetor të 2009, ka rezultuar se ish blerësi ka realizuar vetëm 0.72 për qind investimeve, apo 117 mijë e 570 euro nga 16 milionë e 200 mijë euro sa ka pasur obligim të investoj. Ndërsa ka përmbushur obligime për punësim vetëm 21 për qind”.

Auditimi i dytë nga auditorët e pavarur për periudhën pesë vjeçare (2007-mars 2012) ka nxjerrë këto rezultate: nga 16 milionë e 200 mijë euro investime të zotuara, ish blerësi ka prezantuara para auditorëve investime në vlerë realizuar 6 milionë e 764 mijë e 988 euro, apo 41 për qind, ndërsa investime të dëshmuara me pagesë sipas Raportit të Auditorit janë në vlerë rreth 327 mijë euro, apo vetëm 2.01 për qind nga shuma e përgjithshme e zotimeve. Ndërkaq zotimi për punësim është përmbushur vetëm 12.8 për qind.

“Të dhënat e auditorëve të jashtëm dëshmojnë se ish blerësi nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar dhe premtimet që vet ai i ka dhënë dhe si pasojë e kësaj dhe me qëllim të ruajtjes së ndërmarrjes Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe kthimin e ndërmarrjes nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë. Prandaj AKP hedh poshtë si të pavërteta akuzat e Shahinit, i cili tha se AKP po i largon investitorë të jashtëm dhe po i frikëson ata për të investuar në Kosovë”.

Ndërmarrja ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’ tani është nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë, ndërkaq në afatin sa më të shpejtë të mundshëm do të shqyrtohet mundësia e funksionalizimit të ndërmarrjes “MIM Golesh”. Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron opinionin publik se do të veprojë konform obligimeve ligjore që dalin nga Ligji i AKP-së, ndërkaq kërkon nga AKB-ja që nëse nuk kanë vullnet për të ndihmuar procesin e privatizimit, së paku të mos del pengesë duke u rreshtuar në anën e shkelësve të kontratave të shitblerjes. /Telegrafi/