LAJMI I FUNDIT:

Eurozonë, inflacioni rritet lehtë

Eurozonë, inflacioni rritet lehtë

Inflacioni në 18 vendet që përdorin euron u rrit lehtë gjatë tetorit, tregoi vlerësimi i parë i zyrës europiane të statistikave.

Ky raport ka ofruar një farë shprese për politikëbërësit se deflacioni i çmimeve mund të shmanget. Eurostat deklaroi se çmimet konsumatore në zonën euro u rritën me 0.4 për qind në tetor, në linjë edhe me parashikimet e analistëve. Ndërkohë, një ditë më parë Zyra Gjermane e Statistikave deklaroi se inflacioni në ekonominë më të madhe në Europë, u ngadalësua gjatë tetorit në 0.7 për qind, niveli më i ulët që nga maji.

Eurostat tha gjithashtu se çmimet u rritën më shumë në sektorin e shërbimeve, me 1.2 për qind, pasuar nga rritja me 0.5 për qind e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit. Në anën tjetër, çmimet e ushqimeve të papërpunuara ranë me 0.1 për qind në nivel vjetor, ndërsa energjia ishte 1.8 për qind më e lirë. Megjithatë, vihet re një ngadalësim për këto dy kategori krahasuar me Shtatorin, kur rënia ishte 0.9 dhe 2.3 për qind respektivisht. Me përjashtim të ushqimeve të papërpunuara dhe energjisë, çmimet u rritën 0.8 për qind në Tetor. Kjo metodë cilësohet si inflacioni bazë nga Banka Qendrore Europiane.


Instituti i Frankfurtit, që ka si objektiv kryesor të mbajë inflacionin nën por afër 2 për qind, është e angazhuar për një politikë monetare ekspansioniste, duke përfshirë edhe një plan për blerjen e aseteve dhe ka premtuar se do të ndërmarrë masa të tjera nëse do të jetë e nevojshme. Ndërkohë, në një raport tjetër, Eurostat njoftoi se papunësia në Eurozonë mbeti e pandryshuar në nivelin e 11.5 për qind gjatë shtatorit. /Telegrafi/