LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore do të përkrah Gjakovën

Banka Botërore do të përkrah Gjakovën

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka pritur një delegacion prej 22 përfaqësuesve të Bankës Botërore, bashkë me shefin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters.
Në takim u diskutua për sfidat e nivelit qendror dhe atë lokal me të cilat është përballuar dhe përballet kryetarja e Komunës së Gjakovës, si një femër lidere në pozita udhëheqëse.

Kryetarja Mimoza Kusari – Lila në mënyrë të detajuar ka prezentuar vizionin për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e komunës së Gjakovës, resurset që i disponon për një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik dhe social, dhe që si të tilla vlerësohen si mjaft të favorshme, përfshirë edhe infrastrukturën kadrovike dhe moshën e re të punës.

Për përfitime të mundshme për realizimin e projekteve të mundshme, sidomos ato që vlerësohen si më prioritare dhe më bazike, kryetarja Mimoza Kusari Lila para delegacionit vizitues dhe kontaktues ka bërë të ditura projekte nga më të ndryshmet.


Mirëpo, për përfitime eventuale dhe të pritshme nga Banka Botërore, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka vënë në pah edhe mungesën e krijuar me mosfunksionalizimin e Kuvendit të Kosovës, gjë që në mënyrë direkte ka shkuar në disfavor të moszbatimit të projekteve.

Ndërkaq, Jan Piter Olters, shef i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, ka pohuar se tani janë në fazën e identifikimit të nevojave për mbështetje në zhvillimin e jetës së komunitetit, dhe njëherit me kryetaren Mimoza Kusari Lila edhe më tej do të diskutojmë për sfidat, nevojat dhe mundësitë për investime në zhvillimin e komunitetit në disa fusha të rëndësishme për zhvillimin e gjithmbarshëm. /Telegrafi/