LAJMI I FUNDIT:

MMPH dhe Komuna e Prizrenit, shtyhen për Prevallën

MMPH dhe Komuna e Prizrenit, shtyhen për Prevallën

Komuna e Prizrenit, pavarësisht se i janë marrë kompetencat në Prevallë, vazhdon të rivalizojë Ministrinë e Mjedisit me vendimet që lëshon.

Një i tillë i radhës i lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit e këtij qyteti po shqyrtohet tashmë në Ministrinë e Mjedisit. Fjala është për rastin “Kulla e Jetimit” në Prevallë, së cilës i është revokuar leja nga Komuna e Prizrenit, duke urdhëruar dhe rrënimin e saj, ani pse tash e sa kohë, Ministria e Mjedisit insiston se është e vetmja që merrë vendime për këtë zonë të bukur natyrore.

Kreshnik Berisha, këshilltar i ministrit thotë se ende nuk është marrë ndonjë vendim për rastin në fjalë. “Jo, rasti po shqyrtohet. Gjatë javës do të japim mendimin tonë për këtë vendim të Komunës”, thekson Berisha.


Kurse avokati i Ethem Rogova e ka quajtur vendimin krejtësisht politik dhe joligjor.

“Unë pres nga Ministria e Mjedisit të reflektojë ndaj këtij vendimi të Komunës dhe ti marrë për bazë një sërë shkeljesh dhe parregullsish, në rend të parë, ta respektojë veten si institucioni i vetëm legjitim në Prevallë që thotë se është. Pastaj kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtave themelore të njeriut. Dhe unë dua të besojë se nuk po ndërtojmë një shtet që sot të jep leje dhe nesër ta merrë dhe ta rrënon shtëpinë. Kurse arsyetimi i Komunës për revokimin e lejes është banal”, tha Rogova.

Nga ana tjetër, përgjegjësi i “Kulla e Jetimit” Kemal Januzaj pranon se ishte bastisur nga Policia e Kosovës në kohën kur u arrestuan dhe një numër i madh hoxhallarësh nën dyshimin për terrorizëm.

“Po na kanë bastisë edhe neve, në katër të mëngjesit dhe na i kanë traumatizu 65 jetimë, fëmijë 13-14 vjeçarë që ndodheshin në këtë pushimore që është ndërtuar për ta. Edhe asgjë s’kanë gjetë. Nëse jam terrorist qysh po na thonë, le të më fusin mua në burg, po jo të shkatërrojnë një objekt që kujdeset për qindra-mijëra fëmijë jetim jo vetëm nga familjet muslimane”, ka thënë Januzaj.

Ky është rasti i vetëm i revokimit të lejes në Prevallë. Ndërkohë ka ende objekte pa leje që kanë vendim për rrënim. /Radio Dukagjini /Telegrafi/