LAJMI I FUNDIT:

Përurohen dy rrugë në Shtime, 9 kilometra gjatësi

Përurohen dy rrugë në Shtime, 9 kilometra gjatësi

Është bërë përurimi i dy rrugëve Hani-Muzeqinë-Koshare si dhe Muzeqinë-Vojnofc me gjatësi nëntë kilometra në Komunën e Shtimes.

Sipas ministri të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, investimet po bëhen në çdo vend ku qytetari i Kosovës ka nevojë, dhe se siç pohoi ai janë të orientuar që të arrihet caku final për përmbushjen e të gjitha obligimeve në raport me infrastrukturën.

Mujota pohoi se gjithë banorët e këtyre fshatrave janë të gëzuar për këtë projekt sepse u cilësua si një projekt i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm, madje siç u shpreh i pari i infrastrukturës, këto rrugë janë të standardeve të larta.


“Është një rrugë e standardeve të larta dhe është një rrugë e cila do t’i plotësojë kushtet jo vetëm për banorët e këtij lokaliteti të Komunës së Shtimes por edhe më gjerë për komunikacionin dhe transportin në gjithë Kosovën. Brenda këtij viti do të kemi edhe disa kilometra rrugë të ndërtuara, të rehabilituara, rrugë regjionale, rrugë lokale dhe sigurisht deri në qershorin e vitit 2015 do të mbyllim dikund rreth 80 kilometra rrugë të reja në regjionin e Ferizajit përfshirë këtu edhe Shtimen, Ferizajin dhe një pjesë të Kaçanikut. Janë të arritura të mëdha dhe janë investime të mëdha dhe ne do të vazhdojmë të investojmë dhe të përkrahim autoritetet lokale për përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve sikurse do të vazhdojmë në realizimin e projekteve të mëdha nacionale dhe mund të konfirmoj sot me kënaqësi para jush në më tepër se 100 projekte e ndërtime rrugësh punohet aktualisht në Kosovë, përfshirë këtu edhe punën 24 orëshe në autostradën Hani i Elezit ”, ka thënë Mujota.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli falënderoi ministrin Mujota për këtë projekt, duke thënë se po krijohen mundësi të mira për transport.

“Është me të vërtetë një ndjenjë e mirë, kur është në mesin e këtyre qytetarëve po përurojmë rrugën e cila po krijon mundësinë e një qarkullimi më të mirë të qytetarëve. Ne po përurojmë rrugë të cilat kanë edhe karakter ndër komunal sepse edhe rruga Koshare-Hani dhe kjo rruga Muzeqinë-Vojnofc janë dy rrugë që lidhin edhe fshatrat tjera të Komunës së Ferizajit dhe në këtë rast ne po krijojmë mundësinë që jo vetëm përmes rrugëve regjionale dhe magjistrale por të bëjmë lidhjen edhe përmes rrugëve tjera të fshatrave me qëllimin që të kenë mundësi më lirshëm qytetarët dhe mallrat të transportohen”, ka thënë Ismajli.

Në fund të përurimit të rrugën Muzeqinë-Vojnofc, kryetari i fshatit Vojnofc, Njazi Isufi, ndau mirënjohje për ministrin Mujota për punët që është duke bërë në fshat si dhe për kompaninë e cila kishte punuar në këto dy rrugë.

Ndryshe, projekti për këto dy rrugë kap një shumë prej rreth një milionë euro dhe kompania e cila kishte punuar në këto rrugë ishte Renelual Tahiri. /Telegrafi/