LAJMI I FUNDIT:

Rruga që lidh tri shtete

Rruga që lidh tri shtete

Ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë, në gjatësi prej 20 kilometrave, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë 50 milionë euro dhe punimet në të planifikohet të përfundojnë pas pesë vjetësh. Kjo rrugë nuk do të ketë tunel, por do të ketë ura, si dhe dy shirita qarkullues. Vlerësohet se me ndërtimin e kësaj rruge, përveç lehtësirave në qarkullim, do të ketë ndikime edhe në zhvillimin e turizmit në trevën e Deçanit.

Pas lidhjes së Kosovës me rrugë moderne me Shqipërinë, nëpërmjet Rrugës së Kombit dhe fillimit të punimeve në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, vendi ynë do të vazhdojë të investojë edhe miliona të tjerë për t’u lidhur me rrugë të cilësisë së lartë edhe me Malin e Zi. Por, kjo do të ndodh pas pesë vjetësh, kur përfundon së ndërtuari rruga Deçan – Plavë. Kjo rrugë, sipas njohësve të kësaj treve, do të lidhë shqiptarët e Plavës në Mal të Zi me shqiptarët të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës dhe ata në Shqipëri.

Ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë me gjatësi prej 20 kilometrash, në pjesën e Kosovës, buxhetit të vendit do t’i kushtojë deri në 50 milionë euro. Por, mungesa e buxhetit dhe konfiguracioni i terrenit kanë bërë që afati për kryerjen e punimeve në ketë rrugë të jetë për pesë vjet.


Këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Lah Nitaj, ka thënë se rruga pritet të përfundojë brenda pesë vjetëve, ka një rëndësi të madhe, sipas tij, pasi do t’i lidhë trevat shqiptare me Malin e Zi. Sipas tij, rruga do të jetë sipas standardeve të pranueshme ndërkombëtare për llojin e këtyre rrugëve.

“Ky segment rrugor, i cili ka rendësi të madhe, në të cilin kanë filluar punimet, do të përfundojë në një afat prej 5 vjetëve të ardhshëm. Kjo kohë kaq e gjatë për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë është për shkak të buxhetit, por edhe për shkak të specifikave të terrenit, i cili është kodrinor”, tha Nitaj.

Ai tregon se rruga do të jetë e gjerë 6 metra, me dy korsi, derisa do të ketë gjatësi prej 20 kilometrave. Po ashtu, ai tregon se rruga Deçan-Plavë do të jetë e kompletuar edhe me sinjalistikë dhe se kjo rrugë nuk do të ketë tunele, por do të ketë disa ura. “Ndërtimi i kësaj rruge me standarde të pranueshme, do të kushtojë prej 40 deri në 50 milionë euro. Kanë filluar punimet në segmentin e parë, me gjatësi prej 4.57 kilometra, dhe ka kosto prej 1 milion e 36 mijë euro, e punëkryerës është kompania ‘Lika Trade’ nga Deçani, e cila ka kryer edhe punë të tjera edhe më herët dhe është treguar kompani serioze në realizimin e projekteve infrastrukturore”, ka treguar Lah Nitaj.

Kurse për sa i përket devijimit të trasesë së rrugës, këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës, Lah Nitaj, ka thënë se kjo është bërë për shkak të pengesave, të cilat janë të ditura, nga Manastiri i Deçanit, e po ashtu, sipas tij, nuk kanë mundur të presin edhe më shumë për të filluar punimet.

Por, Nitaj thekson se kur të krijohen kushtet, kjo rrugë mund të qaset në dy anë, edhe nga Manastiri edhe nga traseja e cila po ndërtohet.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka thënë se për komunën të cilën e drejton ky projekt ka rëndësi historike, si dhe do të krijojë perspektivë për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë, në përgjithësi.

Sipas tij, projekti ka rëndësi të madhe, pasi edhe kostoja e tij mund të kalojë 50 milionë euro të kostos totale. “Projekti ka rëndësi të madhe jo vetëm për Deçanin dhe për ketë trevë, por për të gjithë, pasi që traseja do të kalojë nëpër vende ku zhvillohet blegtoria dhe bujqësia”, tha ai.

Selmanaj thekson se ndërtimi i kësaj rruge do të lehtësojë qarkullimin drejt Malit të Zi, si dhe do të ketë edhe ndikime të tjera për banorët e kësaj ane. “Ndërtimi i rrugës që lidh Deçanin me Plavën është i rëndësishëm pasi do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit në ketë anë, e po ashtu do të ketë ndikime dhe në zhvillimin ekonomik”, thekson kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj.

Ndërkaq, Adem Lushaj, drejtor ekzekutiv tek “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në Deçan nisjen e punimeve e vlerëson si një sukses të madh dhe ndër investimet më kapitale që mund të ndodhin. Rruga, e cila lidh Deçanin me Plavën, sipas tij, paraqet një bosht të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të Komunës së Deçanit dhe Kosovës, por edhe të zhvillimit dhe integrimit rajonal, Kosovë, Mali i Zi dhe Shqipëri.
“Shfrytëzimin e resurseve natyrore, qofshin nën apo mbitokësore, kur dihet se Deçani është mjaft i pasur me pasuri nëntokësore dhe mbitokësore. Këtu e kemi gurin e mermertë ‘Breça’, pastaj xehen e mineralit ‘TALK-u’, ujin mineral, gurin gëlqeror, zhavorrin, pyjet, kullosat dhe gjëra të tjera”.

Kreu i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur të Deçanit, Adem Lushaj, thekson se ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë ka rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi lidh trojet shqiptare. “Kjo rrugë Kosovën e lidh edhe me shtetet fqinje, si Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ndërtimi i kësaj rruge, do të shkurtojë dukshëm gjatësinë e rrugës për Ulqin, e cila mund të shfrytëzohet edhe nga shtetet fqinjë, Maqedonia dhe Serbia”, thekson ai.

Lushaj thotë se devijimi i trasesë së rrugës nuk është bërë pa ndikime politike. Ndikimin më të madh, sipas tij, e ka Manastiri i Deçanit. /RevistaEkonomia/Telegrafi/