LAJMI I FUNDIT:

Shpend Ahmeti: Koha për patriotizëm ekonomik

Shpend Ahmeti: Koha për patriotizëm ekonomik

Bashkëpunimi i dy vendeve, Kosovë – Shqipëri, rrit zhvillimin ekonomik të këtyre të vendeve, duke bashkëpunuar në shkëmbimin e produkteve. Kështu është thënë në një debat të organizuar nga Komuna e Prishtinës, me panelist nga Shqipëria, Kosova dhe sipërmarrës të të dyja vendeve.

Lumir Abdixhiku, njohës i çështjeve ekonomike tha se është paradoksale që të importohen prodhime nga Serbia, kur sipas tij, dy vendet që kanë kulturë, histori, gjuhë për kontinuitet elektoral të njëjtë, të kenë një disbalanc kaq të madhe të shkëmbimeve.

“Kosova paradoksalisht konsumon më tepër nga Serbia, Maqedonia dhe nga Bosnja Hercegovina , para Shqipërisë, e Shqipëria konsumon më tepër nga Serbia, Bullgaria. Për më tepër edhe Kosova edhe Shqipëria, kanë politika të përbashkëta, i ndërtojnë politikat e veta ekonomike më tepër se sa vendet e tjera. Kanë investuar miliarda në të dy anët e këto rrugë nuk po i shfrytëzojnë”, tha ai.


Abdixhiku deklaroi se prodhimet vendore duhet konsumuar, ngase kjo ndikon në zhvillim ekonomik.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, njëherit organizatori i panairit “Blej Shqip” tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, kanë vendosur që një panair të përbashkët ta mbajnë pikërisht më 28 nëntor, “Blej Shqip”.

“Ka qenë edhe rrjeti i organizatave shqiptare të cilat e kanë filluar një slogan të tillë. Mendoj se tash kemi një ngritje cilësore të vetëdijesimit për këtë çështje sepse për herë të parë flasim në nivel të institucioneve. Kësaj radhe Komuna e Prishtinës me ministrinë – shpresoj që në të ardhmen të jenë qeveritë e dy vendeve që flasin sa më shumë për këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se sot kanë qenë 113 biznese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, pjesëmarrës në këtë panair.

Ai foli edhe për pjesën e Shqipërisë ku tha se 60 për qind tyre vijnë për herë të parë në Kosovë. /Telegrafi/