LAJMI I FUNDIT:

Punësimi ndalon migrimin

Punësimi ndalon migrimin

Qeveria e re e Kosovës duhet të mendojë për krijimin e vendeve të punës përmes një strategjie zhvillimore të gjithmbarshme. Madje, duhet të adresojë disa politika, qoftë të punësimit të përkohshëm dhe aftësimit profesional, në mënyrë që të ndalet migrimi, e qoftë edhe me arsimimin fillestar të atyre që kanë tendenca migrimi.

Këto janë disa rekomandime nga studimi “Propozim mbi prioritet strategjike në planin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës 2014-2018” që e ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike bashkë me Institutit për Studime të Avancuara GAP.

Në mesin e 102 objektivave për Qeverinë e re të Kosovës, kërkohet që të anulohen vendimet për themelimin e komunave të reja si dhe moskrijimi i ministrive të reja, madje edhe zvogëlimi i numrit të tyre.


Drejtuesit e këtyre OJQ-ve thanë se deri më tani në Kosovë nuk ka pasur plane programe qeverisëse konkrete. Vlerësuan se “aq të mëdha kanë qenë premtimet saqë asnjëherë nuk janë kthyer në veprime konkrete”.

Lidhur me atë se në ftesën për mediat është shkruar se studimi i dedikohet Qeverisë sw re, nga Grupi për Studime Juridike thanë se është çështje rastësore, thjesht si identifikim i personit.
Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se duhen punësime, qoftë edhe të përkohshme, në mënyrë që të ndalet migrimi.

“Niveli i madh i papunësisë në zonat nga vijnë njerëzit që kanë tendencë për të migruar dhe për këtë arsye ne kemi propozuar që Qeveria e Kosovës të adresojë disa politika, qoftë të punësimit të përkohshëm, aftësimit profesional por edhe arsimimit të këtyre qytetarëve që kanë tendencë dhe shprehin tendencë për të migruar”, tha ai.

Ndërsa Agron Demi nga Instituti GAP tha se nuk kanë ndonjë propozim se në cilët sektor të ketë punësim, ngase vendi nuk ka strategji punësimi fare.

Demi tha se përveç strategjisë së punësimit, Qeveria duhet të krijojë patjetër një strategji zhvillimore të gjithmbarshme ekonomike e cila do të vë kahet e orientimit ekonomik për 10 vitet e ardhme të Kosovës.

“Kemi kërkuar që Qeveria e re të krijojë së pari një strategji të punësimit e cila ka objektiva të qarta e që nuk thotë se e kanë prioritet punësimin por e saktëson se ku do punësohen. Programet zgjedhore e kanë caktuar 50 mijë në bujqësi në katër vitet e ardhshme, 4 mijë në kompleksin e Brezovicës, ne po dëshirojmë që ato ti shohim edhe në programet zgjedhore, ne nuk kemi thënë se ku duhet të punësohen sepse së pari neve na mungon një strategji e gjithmbarshme zhvillimore dhe ne kemi kërkuar që Qeveria e re përveç strategjisë së punësimit, gjënë e parë që duhet të bëjë, është të shkruajë një strategji zhvillimore të gjithmbarshme ekonomike e cila do të vë kahet e orientimit ekonomik për 10 vitet e ardhme të Kosovës”, tha ai.

Dokumenti i punuar nga këto dy organizata përfshin 102 objektiva për Qeverinë e ardhshme të vendit pavarësisht nga kush udhëhiqet ai.

Ata pranuan se deri më tani, pavarësisht se u kanë dhënë rekomandime qeverive të kaluara, ato thuajse nuk janë marrë parasysh.

Objektivat e dhëna për Qeverinë përqendrohen në tri fusha: sundimi i ligjit, çështjet politike dhe ato ekonomike, me theks të veçantë në integrimet evropiane dhe yshtjet ekonomike si dy fushat më kryesore.

Në dokument thuhet se çështjet kryesore të cilat duhet të prioretizohen në Planin e Ri Strategjik përfshijnë reformat e nevojshme lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, stabilizimit dhe asociimit, dhe migrimit. /Telegrafi/