LAJMI I FUNDIT:

Ministri Mujota në takimin e SEETO-s në Shkup

Ministri Mujota në takimin e SEETO-s në Shkup

Ministri i Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota, po merr pjese në takimin e dhjetë me radhë ministror të South East European Transport Observatory – Observatori i Transportit të Evropës Juglindore (SEETO).

Në takimin jubilar të SEETO-s po marrin pjesë ministrat e shteteve të Evropës Juglindore dhe zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian.

Teme kryesore e takimit është: Përtej rrjetit gjithëpërfshirës të SEETO-s – rruga për të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe arritjet kryesore në 10 vitet e bashkëpunimit të SEETO-s.


Ministri Fehmi Mujota prezantoi sukseset dhe bashkëpunimin e deritashëm të vendeve të Evropës Juglindore në fushën e infrastrukturës, nevojat dhe sfidat e së ardhmes.

Ai theksoi rëndësinë e ndërlidhjes së rrjetit rajonal me rrjetin transevropian dhe rolin e infrastrukturës në zhvillimin ekonomik. Ndër të tjerat ministri Mujota foli edhe për arritjet e Kosovës dhe projektet e rëndësishme, të cilat janë realizuar dhe po i realizon Republika e Kosovës për lidhjen e saj me korridoret ndërkombëtare.

Një nga parakushtet për zhvillim të rajonit, sipas tij, është bashkëpunimi i vendeve në rajon dhe krijimi i lehtësirave për transport ndërmjet vendeve, me theks të veçantë në eliminimin e barrierave fizike dhe të tjera në kalimet kufitare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar deri tash gatishmëri për bashkëpunim me te gjitha vendet e Evropës Juglindore, me qellim të arritjes së objektivave të përbashkëta dhe integrimin sa më të shpejtë të të gjithë rajonit në familjen evropiane dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi ministri Fehmi Mujota. /Telegrafi/