LAJMI I FUNDIT:

Draghi i reziston presionit!

Draghi i reziston presionit!

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane (BQE), Mario Draghi, i ka rezistuar presionit në rritje dhe nuk ka njoftuar fillimin e programit të blerjes së borxheve sovrane të vendeve anëtare, që ndryshe njihet si “lehtësimi sasior”.

Ai theksoi se një vendim i tillë mund të mos merret as në muajin janar. Por, në anën tjetër Draghi siguroi tregjet se banka do të ndërmarrë hapa shtesë nëse situata përkeqësohet dhe sipas tij, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë unanimisht të vendosur për të vepruar.

Në mbledhjen e këtij muaji, banka qendrore vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 0.05 për qind dhe interesin për depozitat në -0.2 për qind, vendime të pritshme nga tregjet. Norma negative e interesit, do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të paguajnë interes për të depozituar paratë e tyre pranë Bankës Qendrore Europiane.


Rënia e çmimeve të naftës ka rritur presionin mbi inflacionin në Eurozonë, por Draghi siguroi se stafi i BQE është vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve. Ai, edhe një herë tjetër, i bëri thirrje qeverive të Eurozonës të ndërmarrin reformat strukturore për të mbështetur rritjen, pasi politika monetare e vetme nuk mund ta nxjerrë bllokun nga kriza. /Telegrafi/