LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e re duhet të fokusohet në ekonomi

Qeveria e re duhet të fokusohet në ekonomi

Njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë kanë vlerësuar se Qeveria e re e Kosovës duhet të fokusohet më shumë në krijimin e politikave zhvillimore të sektorit privat. Ata kanë shtuar se kjo qeveri duhet të fokusohet edhe në ngritjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se Qeveria e re duhet ta harmonizojë legjislacionin me kushtet në të cilat gjendet Kosova dhe t’i përcaktojë detyrat konkrete. “Dështimet ekonomike të këtij viti do të barten në vitin e ardhshëm. Do të ketë sfida shumë të mëdha, për të cilat do të duhet përkushtim shumë i madh”, ka theksuar ai.

Sipas tij, viti 2015 do të jetë mjaft sfidues, sepse po hyn në ditën e parë kalendarike me probleme të shumta ekonomike.


Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se Qeveria e re duhet të fokusohet në krijimin e politikave zhvillimore të sektorit privat. “Qeveria e re duhet t’i subvencionojë kapacitetet prodhuese në Kosovë, por edhe gjetjen e mundësive, që bashkërisht me ne t’i promovojmë kapacitetet që kemi jashtë shtetit, njëkohësisht duke i ftuar investitorët e huaj të vijnë në Kosovë për investime të reja dhe bashkinvestime”, ka thënë Shahini.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Nexhat Kryeziu, ka deklaruar se qeveria e re duhet të orientohet në ato fusha që janë më shumë prosperuese, në mënyrë që të kemi më shumë zhvillim ekonomik. “Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë ndryshimin e politikave fiskale për fushat që janë të rrezikuara dhe për shkak të konkurrencës së jashtme”, ka theksuar ai. Sipas tij, qeveria duhet t’i mbështesë ato biznese që kanë përparësi konkurruese ndaj vendeve të rajonit. “Duhet mbështetje edhe për ato biznese që janë atraktive për punësimin, pasi sektori privat është ai që më shumë e mbush buxhetin privat”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS) ka deklaruar se çështja e parë që qeveria e re duhet ta ketë në fokus është miratimi i buxhetit, por jo i tillë siç e ka prezantuar qeveria e mëhershme. Sipas tij, duhet të bëhet rishikim të shpenzimeve, duke favorizuar investimet kapitale dhe duke shkurtuar shpenzimet në aspektet sociale.

“Pa investime nuk ka zhvillim dhe tejkalim të problemeve esenciale. Pika e dytë e qeverisjes së re duhet të jetë energjetika, pasi ka ngecje shumë të mëdha për t’u tejkaluar ky problem për ndërtimin e termocentralit të ri dhe interkonjuksionit. Problemi i tretë është qasja ndaj privatizimit të ndërmarrjeve publike. Problem esencial janë dhe infrastruktura e hekurudhës, rrjeti i ujërave të zeza dhe trajtimi i tyre”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, nëse qeverisja e re do të fokusohet në këto çështje, atëherë vetvetiu do të krijohet ambient i favorshëm biznesi dhe vende pune. “Nëse këto probleme qeverisja e re i ka në fokus, atëherë vetvetiu krijohet ambient për nxitjen e sektorit privat, pasi sektori privat krijon punësim, e jo qeveria”, ka thënë ai. /Epoka e Re/Telegrafi/