LAJMI I FUNDIT:

FMN: Papunësia do të mbetet sfidë për Kosovën

FMN: Papunësia do të mbetet  sfidë për Kosovën

Gjatë tri viteve të fundit, rritja ekonomike në Kosovë mesatarisht ka qenë rreth 3% në vit, që është rritja më e lartë krahasuar me vendet në regjion, por në Kosovë, popullsia është duke u rritur më shpejt, që nënkupton se vendi ka nevojë për rritje më të madhe të ekonomisë se sa vendet tjera, për të parandaluar kështu rritjen e mëtejme të papunësisë.

Papunësia në Kosovë ka gjasa të mbetet një sfidë në Kosovë edhe për disa kohë, vlerëson në një intervistë për KosovaLive, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Zyra në Kosovë, Frank Lakwijk.

Kosova ka një popullsi shumë të re, një forcë potenciale, por shkalla e papunësisë tek kjo kategori është shumë e lartë. Bazuar në statistikat zyrtare, çdo vit popullsia e moshës së punës rritet për 25 mijë njerëz, që është një shifër shumë më e madhe sesa numri i vendeve të reja të punës që hapen çdo vit në Kosovë. “Në mënyrë që të ketë rritje të numrit të njerëzve që punësohen çdo vit dhe të zvogëlohet papunësia, nevojiten normat e rritjes ekonomike, që janë dukshëm më të larta sesa realiteti i kohëve të fundit,” thotë Lakwijk.


Sipas tij, rezultatet e tregut të punës në Kosovë, si në shumë vende të Ballkanit Perëndimor janë më keq se në vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore. “Kjo është e ndërlidhur me fillimin e vonshëm të procesit të tranzicionit drejt ekonomisë së tregut, si dhe me efektet e emigrimit dhe remitencat. Ndërkohë që remitencat ofrojnë mbështetje të rëndësishme për familjet, ato gjithashtu zvogëlojnë nxitjen për t’u punësuar dhe rrisin çmimet dhe nivelet e pagave, duke penguar konkurrencën”, thotë për KosovaLive, Lakwijk.

Për më tepër, boshllëqet e aftësive kufizojnë punësimin derisa bizneset gjithnjë e më shumë kërkojnë nivelet e arsimit që punëtorët nuk i kanë. “Sidoqoftë, zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe të punësimit varen shumë nga politikat që mund të merren tani. Qeveria do të duhej të synonte rritjen ekonomike dhe produktivitetin, përmirësimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë dhe forcimin e funksionimit të tregut të punës”, thotë Lakwijk.

Në një ekonomi të tregut të tillë si të Kosovës, ai thekson se është sektori privat ku punësimi duhet të krijohet për të thithur forcën punëtore dhe të zhduk papunësinë. Krijimi i një mjedisi të favorshëm për investime në vend, sipas tij, do të tërheqë investitorë të huaj, si dhe të inkurajojë investitorët vendas për të filluar dhe zgjeruar aktivitetet. Ai shton se rezultati i kësaj do të ishte punësimi më i lartë pasi që bizneset e zgjeruara do të punësonin më shumë njerëz.

Lakwijk nënvizon se shteti duhet të forcojë sundimin e ligjit, sepse siç thotë, ky është çelësi për zhvillimin ekonomik të ardhur nga investimet, duke filluar me zbatimin më të mirë të kontratës dhe të shtrirë në përmirësimin e të drejtave ligjore në të gjitha aspektet për të reduktuar korrupsionin që pengon investimet.

Përveç kësaj, ai potencon se infrastruktura më e mirë në mënyrë të veçantë në sektorin e energjisë është e nevojshme për të rritur performancën e sektorit privat dhe rritjen e produktivitetit dhe shteti duhet ta mbështesë këtë fuqishëm dhe në mënyrë aktive.

Lakwijk deklaron se është gjithashtu e rëndësishme që shteti të ketë kujdes me pagat, pasi që kjo është thelbësore për tërheqjen e investimeve. “Pagat e sektorit publik dhe kostot e punësimit ndikojnë drejtpërsëdrejti në konkurrencë, prandaj duhet të jenë më mirë të kontrolluara”, ka nënvizuar Lakwijk. /KosovaLive/Telegrafi/