LAJMI I FUNDIT:

AKP 170 milionë euro gati për Qeverinë

AKP 170 milionë euro gati për Qeverinë

Gjatë vitit 2014 janë nënshkruar 145 kontrata të shitjes, ndërsa shpërndarja e 20 përqindëshit tek punëtorët gjatë këtij viti është në vlerë prej 15 milionë euro. Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të privatizimit, janë nënshkruar 1.303 kontrata.

Këto të dhëna i paraqiti ushtruesi i detyrës zëvendësdrejtor menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Avni Jashari, i cili prezantoi aktivitetet përmbledhëse të AKP-së gjatë vitit 2014.

“Një numër i madh i kontratave të shitjes janë nënshkruar gjatë vitit 2014 – janë nënshkruar gjithsej 145 kontrata. Edhe tani janë duke pritur dhe dy kontrata të shitjes, që besojmë që gjatë këtij viti do të përfundohen. Ka vazhduar shpërndarja e 20 përqindëshit të punëtorëve dhe gjatë këtij viti kemi shpërndarë 15 milionë euro. Administrimi dhe monitorimi i ndërmarrjeve shoqërore ka vazhduar me efikasitet të plotë dhe me rritjen e cilësisë“, tha ai.


Si aktivitete gjatë këtij viti ai përmendi edhe monitorimin e ndërmarrjeve të privatizuara me spin- off special si dhe trajtimin e aseteve të uzurpuara.
“Ftesa jonë është që t’i lirojnë asetet e uzurpuara, në mënyrë që ne të vazhdojmë punën tonë, me privatizimin dhe likuidimin e këtyre ndërmarrjeve. Në rast se nuk i lirojnë ne do të veprojmë ashtu siç e kemi mandatin dhe me ligj. E kam një porosi tjetër të veçantë për këta uzurpatorë. Para se ta marr vendimin për lirimin e aseteve të uzurpuara, kemi pasur konsultime të gjëra. Një prej çështjeve që më është thënë se një numër i caktuar i njerëzve që i kanë uzurpuar këto asete nuk do t’i lëshojnë ato për arsye të ndryshme. Nëse nuk i lëshojnë asetet ne do të veprojmë sipas ligjit”, porositi Jashari.

Si të arritur tjetër, Jashari përmendi dhe aktivizimin e Fabrikës së Zinkut në Trepçë si dhe ngritjen e bashkëpunimit me komunat. Ai tha se Fondi tepricë sipas definimit të Ligjit të agjencisë, që janë të gatshme t’i transferohen Qeverisë së Kosovës posa të kompletohet bordi në muajt e parë, janë diku rreth 170 milionë euro. Ndërkaq, në vitin 2012 AKP i ka transferuar Qeverisë edhe 28.9 milionë euro.

Të hyrat nga shitjet e ndërmarrjeve të reja dhe shitjet e aseteve gjatë procesit të likuidimit, janë 660 milion euro dhe gjendja e fondeve në mirëbesim në Bankën Qendrore është 564 milionë euro, informoi Jashari. Ai theksoi se asnjë cent të Fondit të mirëbesimit Agjencia nuk e ka deponuar asnjëherë në bankat jashtë Kosovës dhe se të gjitha paratë e mirëbesimit janë të deponuara në BQK. /Telegrafi/