LAJMI I FUNDIT:

Rriten pagat me 1.8% në Gjermani

Rriten pagat me 1.8% në Gjermani

Pagat reale në Gjermani janë rritur me 1.8 për qind gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është edhe rritja më e madhe në më shumë se tre vjet, dhe mbetet një mbështetje potenciale për konsumin privat, nëpërmjet të cilit qeveria po synon të nxisë rritjen.

Të dhënat nga zyra federale e statistikave në Gjermani, tregojnë se një punonjës me kohë të plotë paguhet mesatarisht 3.541 euro në muaj, duke mos përfshirë këtu taksat dhe pagesat e veçanta.
Ndërsa punonjësit në sektorin bankar, atë të sigurimeve dhe komunikeve regjistruan pagat më të larta në këtë mesatare. Pagat nominale ndërkohë janë rritur me 2.6 për qind gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, dhe bindshëm më shumë se rritja e çmimeve të konsumit me 0.8 për qind gjatë së njëjtës periudhë.


Zyra e statistikave në vend shpjegon se norma e ulët e inflacionit, më e ulta në 20 muajt e fundit, është edhe arsyeja kryesore e kësaj rritje të pagave reale në vend. Duke pasur parasysh se eksportet gjatë vitit të ardhshëm pritet të jenë ende të dobta, kryesisht për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Kremlinit, konsumi privat pritet të jetë faktori kyç në rritjen ekonomike gjatë 2015.

Pagat e larta në Gjermani mund të ndihmojnë edhe një eurozonë të brishtë duke nxitur kështu konkurueshmërinë e rajonit. /Telegrafi/