LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia ruse në recesion

Ekonomia ruse në recesion

Ekonomia ruse ka qenë në kontraktim për të parën herë që prej muajit tetor të vitit 2009, sipas të dhënave të muajit nëntor të këtij viti.

Këto të dhëna negative regjistrohen si pasojë e rënies së nivelit të prodhimit dhe tkurrjes së investimeve. Prodhimi i Brendshëm Bruto regjistrohet në tkurrje me 0.5 për qind gjatë muajit nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, një muaj më parë, prodhimi i brendshëm bruto ishte regjistruar në rritje me 0.5 për qind. Kështu, ekonomia e vendit më të madh në glob si eksportuese energjie pritet të përballet me recesionin e parë që prej vitit 2009. Ky recesion pritet që të vazhdojë gjatë gjithë vitit të ardhshëm, madje edhe të përkeqësohet për shkak të naftës.


Shkëmbimet tregtare të arit të zi në vend kanë qenë në nivelin më të ulët 5-vjeçar. Sanksionet e perëndimit e kanë detyruar Rusinë të përballet me krizën më të madhe të monedhës që prej vitit 2009. Me çmimet e naftës në nivelin aktual, prej 60$ për fuçi, ekonomia e vendit rrezikon të kontraktohet me rreth 4 për qind gjatë vitit të ardhshëm.

Ngadalësimi i aktivitetit në prodhimtari, ka pasur edhe efektin më negativ në shifrat e PBB për muajin nëntor. Trendi negativ ka vazhduar edhe në sektorin e ndërtimit, shitjet me shumicë dhe agro-bujqësi.

Rubla ruse nga ana tjetër ka qënë valuta që ka dhënë performancën e dytë më të keqe gjatë këtij viti, duke ardhur kështu menjëherë pas Hryvnias ukrainase. Monedha ruse ka humbur 41 për qind të vlerës së saj përkundrejt dollarit amerikan përgjatë 2014. /Telegrafi/