LAJMI I FUNDIT:

Rreziqet kryesore në 2015

Rreziqet kryesore në 2015

Tensionet gjeo-politike që tronditën tregjet gjatë vitit 2014, nuk ka gjasa të qetësohet as në 2015. Për këtë arsye, analistët paralajmërojnë për një epokë të re të paqëndrueshmërisë. Qetësia relative në fillim të vitit 2014, tani duket se është një kujtim i largët.

Shqetësimi kryesor për investitorët edhe gjatë 2015 pritet të jetë tensioni midis Perëndimit dhe Rusisë për shkak të krizës në Ukrainë.

Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin gjenden në nivelin më të ulët që nga rënia e Murit të Berlinit 25 vite më parë, ndërsa ekonomia ruse është pranë kolapsit në shkallë të plotë. Zhvlerësimi drastik i rublës ruse dhe rënia e çmimeve të naftës, mund të detyrojë presidentin Putin të negociojë. Shqetësimi tjetër është Shteti Islamik dhe Talebanët.


Ngritja e ISIS në Irak dhe Siri nuk u mor seriozisht, por tani besohet se është grupi terrorist më i pasur në botë për shkak të vjedhjes së bankave dhe pushtimit të rafinerive të naftës. Në muajin Dhjetor, një person i armatosur, që pretendonte se ishte aleat i ISIS, mbajti peng për orë me radhë një kafene në Sydney. Në të njëjtën kohë, talebanët në Pakistan ndërmorën një sulm të tmerrshëm në një shkollë.

Një tjetër shqetësim për 2015 pritet të jetë edhe çështja e kufirit të Kinës. Mundësitë për konflikt territorial të Kinës me Japoninë dhe Indisë – apo me të dyja bashkë – janë rritur kohët e fundit, shprehet Alastair Newton, analist politik tek Nomura Group.

Problemi tjetër, por jo më pak i rëndësishëm janë zgjedhjet europiane. Partitë ekstremiste në të gjithë Bashkimin Europian kanë fituar mbështetje, duke filluar që nga Britania e Madhe, Spanja, Portugalia, Greqia, Finlanda dhe Polonia. Të gjitha këto vende do të zhvillojnë zgjedhje të përgjithshme në 2015. /Telegrafi/