LAJMI I FUNDIT:

Mbi 270 mijë kosovarë kërkojnë punë

Mbi 270 mijë kosovarë kërkojnë punë

Papunësia ende po e rëndon jetën e qytetarit të Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, numri i punëkërkuesve në Kosovë është 273 mijë e 443.

Sipas po të njëjtit burim, janë mbi 29 mijë familje që jetojnë me asistencë sociale. Prej tyre, 7350 familje vetëm në rajonin e Prishtinës. Pastaj vjen rajoni i Mitrovicës me 7.195 raste, ndërsa rajoni i Prizrenit është i treti me radhë me 3.994 familje të tilla.

Në vendin e katërt është rajoni i Pejës me 3.609 familje me asistencë sociale. Ndërsa, nuk qëndron më mirë as rajoni i Gjilanit, ku familjet me asistencë sociale kanë arritur numrin 3181. Rajoni i Ferizajt ka 2.949 familje të regjistruar në qendrën sociale, derisa rajoni i Gjakovës ka 1260 sosh.


Hafiz Leka, kryesues i Divizionit të Punësimit dhe Politikave, thotë se tek numri i punëkërkuesve vërehet rritje për 3 për qind nga viti 2013.

“Ata që rregullisht kërkojë punë janë rreth 86 mijë persona, ndërsa pjesa tjetër i takon kontingjentit të punëkërkuesve të cilët janë të pasivizuar sipas sistemit që kemi”, tha ai.

Nga ana tjetër, Fadil Maloku, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se nuk është bërë aq sa duhet për rastet sociale. Sipas tij, viti 2015 do të jetë sfidë madje edhe më e madhe, si për familjet që jetojnë me asistencë sociale po ashtu edhe për shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Jeton Mehmeti, nga Instituti GAP, ka thënë se numri i papunësisë është shumë shqetësues për vendin dhe se nga Qeveria nuk është bërë aq sa duhet për të zgjidhur problemin.

“Nga të dhënat që kemi, deri në qershor kemi pasur mbi 270 mijë persona të cilët janë të regjistruar si të pa punë. Kjo kupton se ne kemi një rritje prej 2.5 për qind në krahasim me vitin paraprak. Problemi i dytë – e që është edhe më shqetësues – është fakti se numri i personave që janë duke kërkuar punë dhe që janë me shkollim universitarë është rritur dukshëm në krahasim me vitin paraprak. Këtë vit kemi mbi 6500 punëkërkues të diplomuar, që i bie të kemi rritje prej mbi 16 për qind në krahasim me vitin paraprak. Problemi i tretë është me shërbimet e punësimit publik, të cilët deri në qershor të këtij viti kanë arritur që të punësojnë vetëm shtatëmijë persona”, thotë Mehmeti.