LAJMI I FUNDIT:

Më 2018 India ekonomia e tretë në botë

Më 2018 India ekonomia e tretë në botë

Ekonomia e Indisë e nis këtë vit si më e avantazhuara ndër tregjet emergjente. Diçka e tillë vjen falë progreseve të dukshme ekonomike të bashkërenduara me reformat e ndërmarra nga kryeministri Indian Modi. Në vitin 2014 indeksi Sensex i aksioneve shënoi edhe performancën e dytë më të mirë në kontinentin aziatik. Sipas ministrisë së financave, deri në përfundim të vitit fiskal në muajin mars të këtij viti rritja ekonomike në vend pritet të jetë mbi 5.5 për qind.

Kjo shifër mbetet mjaft domethënëse duke pasur parasysh se hapat e rritjes në dy vitet e fundit kanë qënë nën 5 për qind. Qendra për kërkime ekonomike dhe biznes në një raport të fundit ka nënvizuar faktin se rritja e Indisë duket e pandalshme. Ndërsa sipas një raporti tjetër, brenda vitit 2018, India pritet të kthehet në ekonominë më të madhe të vendeve të Commonwealth.

Gjithashtu vendi, duke vazhduar në të njëjtat hapa, pashmangërisht do të bëhet ekonomia e tretë më e madhe në Botë. Aktualisht India gjendet në pozita të favorshme, duke qenë se i ka eliminuar të gjitha problemet kryesore të 2 viteve të fundit. Për shkak të rënies së çmimit të lëndëve të para, inflacioni tepër i lartë dhe deficiti buxhetor tashmë janë nën kontroll.


Rënia e çmimeve të arit të zi i ka mundësuar kryeministrit Modi të heqë lirisht subvencionet e naftës të cilat i kushtonin vendit rreth 20 miliardë dollar në vit. Analistët shprehen se rritja e normave të interesit nga ana e rezervës federale nuk do të ketë impakt domethënës në ekonominë indiane, ndryshe nga tregjet e tjera emergjente.

Vendi tashmë ka krijuar rezerva të mjaftueshme por edhe një ekonomi të brendshme të qëndrueshme. Investimet e huaja dirkte për vitin që sapo lamë pas llogariten në rreth 28 miliardë dollar, rreth 5 miliardë më shumë se një vit më parë. /Telegrafi/