LAJMI I FUNDIT:

Danimarka vendi më i lumtur në Botë

Danimarka vendi më i lumtur në Botë

Danezët janë të bindur për diçka të tillë dhe kërkojnë ta manifestojnë kudo. Është pikërisht mirëqenia sociale ajo që e rendit vendin në krye të disa listave që i referohen mënyrës së jetesës dhe mënyrës së të bërit biznes.

Universiteti falas, incentivat për të blerë një shtëpi, papunësia e të rinjve nën 13 për qind, janë ndër avantazhet kryesore që të rinjtë danez kanë përkundrejt moshatarëve të tyre në vende të tjera të globit. Tashmë edhe raporti i Bankës Botërore e rendit vendin të parin në Botë për të bërit biznes. Të gjitha këto të dhëna janë mjaft domethënëse për të tërhequr talente nga Europa, Rusia, Japonia por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Transparency International, Danimarka kurorëzohet si vendi më pak i korruptuar në Botë. Edhe Forbes e rendit vendin si më të mirin në glob për klimën e biznesit. Universiteti në Danimarkë, i cili ofron më shumë se 500 kurse, është falas për të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian.


Ndërsa për të rinjtë danez të ndjekësh shkollën e lartë të jep mundësinë edhe të përfitosh nga incentivat.

Këto të fundit variojnë nga 300-400 euro në muaj për ata të rinj që vazhdojnë të jetojnë me familjen, dhe mbi 700 euro për ata që kanë vendosur të transferohen. Jeta universitare për të rinjtë vendas ofron gjithashtu mundësinë e huave studentore, me interesa mjaft të ulët dhe të rimbursueshëm në një periudhë 15-vjeçare.

Papunësia e të rinjve në vend regjistrohet në 12.6 për qind, rreth 10 për qind më pak se mesatarja e BE-së. OSBE në një raport të fundit nënvizon faktin se 73 për qind e danezëve nga 15 deri në 64 vjeç kanë një pagë fikse dhe paguhen mesatarisht 25.172 dollarë. Kjo shifër në Shtetet e Bashkuara është në 23.938 dollarë. /Telegrafi/