LAJMI I FUNDIT:

Eurozonë, pritshmëri deflacioniste

Eurozonë, pritshmëri deflacioniste

Inflacioni në Gjermani është në nivelin më të ulët që prej muajit tetor të vitit 2009. Kështu muaji dhjetor regjistrohet në 0.1 për qind, përkundrejt nivelit prej 0.5 për qind në muajin paraardhës. Në këtë pikë Eurozona duket se nuk do ti shmanget dot deflacionit për muajin dhjetor të vitit që sapo lamë pas.

Verdikti final për 19 vendet e Eurozonës, mbi normën e inflacionit do të jepet ditën e mërkurë nga Eurostat. Sipas ekspertëve, inflacioni në total, në zonën e monedhës së përbashkët europiane për muajin dhjetor pritet të regjistrohet në -0.1 për qind. Panorama shfaqet edhe më pesimiste pasi pritshmëritë flasin për çmimet ende në rënie. E para dhe e vetmja herë që çmimet e konsumit në Eurozonë kanë rënë nën zero, ka qënë në vitin 2009.

Të dhënat mbi çmimet e konsumit në Gjermani, ekonominë më të fortë të eurozonës, përforcojnë edhe më shumë shifrat që vijnë nga shtetet e tjera. Në Spanjë u shënuan të dhëna nën pritshmëtritë, duke zbritur në nivelin e -1.1 për qind. Vetë presidenti i Bankës Qendrore Europiane në një deklaratë të disa ditëve më parë nuk e përjashtoi mundësinë që eurozona të përfundojë në një gjendje deflacioniste, edhe pse ai i cilësoi këto rreziqe si të limituara.


Në prapaskenë të gjithë kësaj situate qëndron pikërisht rënia drastike e çmimeve të naftës. Për këtë arsye, krerët e BQE-së shprehen se një situatë deflacioni nuk duhet parë me pesimizëm, dhe se çmimet e ulta të naftës mund të ndihmojnë në një rimëkëmbje të ekonomisë europiane.

Gjithsesi objektivi I BQE për një normë inflacioni pranë zeros, mund të konsiderohet i dështuar. /Telegrafi/