LAJMI I FUNDIT:

Ministri Abrashi pezullon Marrëveshjen Kolektive

Ministri Abrashi pezullon Marrëveshjen Kolektive

Dy euro në ditë rritje të pagës për 0,5 për qind për çdo vit pune, tetë orë punë, e siguri në vend të punës… Pak a shumë këto ishin pritjet e punëtorëve në rast se do të fillohej të zbatohej nga 1 janari Marrëveshje Kolektive. Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshje tashmë pezulluar.

Pezullimin e marrëveshjes e ka konfirmuar Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai për Gazetën Tribuna ka njoftuar se pezullimi është bërë për shkak se ajo nuk është në harmoni me Ligjin e Punës.

“Unë kam kërkuar interpretim nga Zyra Ligjore rreth disa neneve të Marrëveshjes Kolektive të cilat nuk janë në harmoni me Ligjin e Punës. Në lidhje me këtë çështje, javën e ardhshme do ta marr një vendim përfundimtar kur edhe do ta kem interpretimin e zyrës ligjore”, ka thënë Abrashi.


Po ashtu, sipas tij, pezullimi i kësaj marrëveshje është kërkuar edhe nga Oda Ekonomik e Kosovës, e cila është palë nënshkruese

Abrashi ka thënë se ka gjasë që zbatimi i marrëveshjes kolektive të shtyhet edhe për një kohë, për shkak se do të ndryshojë edhe Ligji i Punës.

“Ne do të ndryshojmë edhe Ligjin e Punës, në mënyrë që ky ligj të jetë më atraktiv, si për punëdhënësit ashtu edhe për punëmarrësit. Pasi që ligji është në procedurë të ndryshim, është e logjikshme që të pritet që Marrëveshja Kolektive të amendamentohet në bazë të ligjit të ri”, ka thënë Abrashi

Ndryshe, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), vlerëson se Marrëveshja Kolektive nga ana e të gjitha ndërmarrjeve është në kundërshtim direkt me Nenin 90.5 të Ligjit të Punës, që ka të bëjë me palët që detyrohen të zbatojnë këtë kontratë, ku ceket se “Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen e tillë Kolektive”.

Sipas OEAK-së anëtarët e Këshillit Ekonomik Social, nuk kanë të drejtë ligjore që të fusin në obligime kontraktuale palët e treta, të paktën jo para se të merret autorizimi i tyre. Në rastin e marrëveshjes kolektive, ky dialog ka munguar dhe bizneseve iu është pamundësuar të shprehin pakënaqësitë e tyre.

Mirëpo, me këtë konstatim nuk janë pajtuar dy institucionet nënshkruese të kësaj marrëveshje.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për Tribuna se para se të nënshkruajnë këtë marrëveshje janë konsultuar me sektin privat. Ai me këtë rast ka ftuar edhe Odën Ekonomike Amerikane që të respektojë ligjet në fuqi duke respektuar marrëveshjen Kolektive.

“Organizatat e ndryshme duhet të ju nënshtrohen rregullave në Kosovë”, ka thënë Shahini

Sipas tij, AKB dhe Oda Ekonomike janë dy institucionet që përfaqësojnë pjesën dërmuese të bizneseve.

“AKB këtë marrëveshje e ka nënshkruar në emër të 10600 bizneseve të cilat janë anëtare të saj dhe sipas qeverisë OEK dhe AKB përfaqësojnë pjesën dërmuese të bizneseve”, ka thënë Shahini.

Ai ka thënë se Marrëveshja Kolektive duhet të jetë obligative për të gjithë sektorët, si në atë publik ashtu edhe në atë privat.

Edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, beson se kjo marrëveshje do të respektohet nga të gjithë sektorët njësojë.

“Marrëveshja Kolektive është nënshkruar në nivel nacional dhe shteti i Kosovës funksionon si tërësi, çka do të thotë se Marrëveshja Kolektive tashmë është një ligj i cili duhet të implemntohet nga i gjithë sektori privat dhe ai publik”, ka thënë Arifi.

Megjithatë,a i nuk ka dashur të flas për nivelin e implementimit të kësaj marrëveshje e cila ka hyrë ën fuqi që nga 1 janari.

Ndryshe, Marrëveshja Kolektive ishte nënshkruar vitin e kaluar nga qeveria me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshillit Ekonomik Social, nuk po gjen zbatim. /Tribuna/