LAJMI I FUNDIT:

Brenda vitit, marrëveshje për punësime sezonale?

Brenda vitit, marrëveshje për punësime sezonale?

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në emisionin “Info-Box” të Radio Dukagjinit ka theksuar se është e mirëseardhur çdo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme ose për seancë të rregullt plenare, në Kuvendin e Kosovës, ku do të diskutohej problemi i migrimit ilegal, ose çështjet tjera të interesit nacional.

Ai ka theksuar që “së pari duhet të sqarohen disa çështje që janë të rëndësishme e që lidhen me fenomenin e migrimit të paligjshëm të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së. Ky fenomen nuk e ka prekur vetëm Kosovën por tërë vendet e rajonit, duke përfshire shtetet që tash e një kohë i kanë liberalizuar vizat”.


“Sa i përket numrit të qytetarëve që ende mendojnë dhe shpresojnë se mund të gjejnë një jetë më të mirë, duke iu drejtuar ndonjërit prej vendeve të BE-së, mund të them që shifrat aktuale, që kemi në dispozicion, nuk janë aq alarmante sa janë prezantuar në opinionin publik gjatë ditëve dhe javëve të fundit”, ka thënë Çollaku, transmeton Telegrafi.

Ai ka se sqaruar se shifrat aktuale, që i posedojnë institucionet e Kosovës, për numrin e kosovarëve që kanë migruar ilegalisht, janë të përputhshme, për të mos thënë janë me të ulëta, nëse e krahasojmë këtë fenomen me vitin paraprak.

“E kemi për detyrë dhe obligim që migrimin e parregullt ta ndalojmë. Ky është një angazhim i përhershëm, me të cilin do të merremi edhe në vitet në vijim ashtu siç jemi marrë deri me tani. Ajo qe është me alarmante është se gjatë javëve të fundit kemi pasur një trend në rritje të migrimit ilegal, dhe tronditës ka qenë humbja e një jete të njeriut”, ka deklaruar Çollaku.

Ministrini Integrimit Evropian ka theksuar se kjo ngjarje për institucionet e Kosovës është një alarm i madh që ata i shtyn që në mënyrë të pandërprerë të merren me këtë çështje, duke synuar, sipas tij, që t’i ndërgjegjësojnë kosovarët që migrimi i parregullt nuk është alternativa e duhur për zgjidhjen e problemeve.

“Ky migrim përveçse i dëmton vetë ata e dëmton edhe procesin e liberalizimit të vizave. Humbësit më të mëdhenj në këtë proces janë të gjithë ata individë që do të bëjnë përpjekje që të largohen në mënyrë të parregullt nga Kosova, sepse edhe nëse arrijnë në destinacionin e tyre dhe paraqiten në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) për të kërkuar azil, ata nuk do ta gjejnë një gjë të tillë, sepse Kosova tashmë ka nënshkruar mbi 22 marrëveshje për riatdhesim, dhe të gjitha këto shtete në mënyrë të menjëhershme, duke i respektuar procedurat në fuqi,  do ta bëjnë riatdhetimin e qytetarëve që kërkojnë azil në këto vende”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjidhja afatgjate për të ndaluar migrimin e parregullt është e thjeshtë dhe shumë e komplikuar, dhe kjo sipas zgjidhej sipas tij, “do të varet në mënyrë ekskluzive nga ajo sa jemi në gjendje si shtet që ta përmirësojmë gjendjen socio-ekonomike dhe që ta përmirësojmë jetën e tyre ne Kosovë”.

Ai ka folur edhe për mundësinë që Kosova të lidh marrëveshje me disa nga vendet e BE-së, që kosovarët të kenë mundësi të bëjnë punë sezonale nëpër këto vende, duke theksuar “që një mundësi e tillë duhet eksploruar në tërësi dhe ne si qeveri duhet të jemi këmbëngulës që me shtetet e fuqishme të BE-së të lidhim një marrëveshje kontraktuale për punësime sezonale. Arritja e marrëveshjeve për punësim sezonal do te ishte një alternativë e mirëseardhur. Ne shpresojmë që gjatë këtij viti të arrijmë ndonjë marrëveshje të kësaj natyre”. /Telegrafi/Radio Dukagjini/