LAJMI I FUNDIT:

KLMDNJ: Arrestime të panevojshme të protestuesve

KLMDNJ: Arrestime të panevojshme të protestuesve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ), ka reaguar ndaj arrestimit të djeshëm të protestuesve, të cilët kanë protestuar rreth katër orë para ndërtesës së KEDS-it, duke kërkuar ulje të çmimit të energjisë elektrike. Sipas KLMDNJ-së, ndërhyrja e Policisë së Kosovës, përkatësisht arrestimi i katër protestuesve ka qenë krejtësisht i panevojshëm meqë ata kanë protestuar në mënyrë paqësore.

KLMDNJ nëpërmjet një komunikate thotë se kërkesat e protestuesve janë të drejta prandaj KMDLNj edhe me herët pati paralajmëruar se do të ketë protesta shkaku se shtrenjtimi i pakontrolluar i energjisë elektrike skajshmërisht rrezikon mbijetesën e qytetarëve të Kosovës të cilët edhe ashtu jetojnë në kushte të varfërisë së madhe.

“Institucionet e Kosovës duhet të dalin në mbrojtje të qytetarëve duke mos lejuar këtë shtrenjtim, mostransparencë rreth tarifave, fryrje të faturave, dëmtimeve të pajisjeve të amvisërisë për shkak të reduktimeve të shpeshta, dëmtime të bizneseve për shkak të trajtimit diskriminues në bazë të cilës disa shpenzues janë të favorizuar me kontrata shumëvjeçare, ndërhyrjes të sistemit të Elektro Srbija në inkasimin në veri dhe mjedise ku jetojnë serbët, shkyçje e shpeshta që u bëhen edhe për një borxh fare të vogël e jo të mbrojë KEDS-in që po e rrezikon seriozisht standardin e qytetarëve. KMDLNj përkrah çdo protestë që është në funksion të përmirësimi dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe e cila është paqësore dhe jashtë ndikimit politik. KMDLNj fton Policinë e Kosovës të jetë shumë e kujdesshme në raport me qytetarin që proteston sepse e drejta për protestë është ndër të drejtat elementare të njeriut”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/