LAJMI I FUNDIT:

Kadaj-Bujupi: Mungesa e rrymës dhe çmimet e shtrenjta, paradoks

Kadaj-Bujupi: Mungesa e rrymës dhe çmimet e shtrenjta, paradoks

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi tha sot se për shkak të qeverisjes së keqe Kosova nuk guxon t’u bashkohet shteteve, të cilat cilësohen si të mallkuara nga pasuritë e tyre natyrore.

“Çmimet e papërballueshme të energjisë elektrike për qytetarët në këtë kohë krize, në varfëri dhe papunësi të mbi gjysmës së popullsisë, janë tej mase shqetësuese. Brenda pak muajve rryma u rrit, fillimisht 4.57 për qind dhe më pas 5.18 për qind, ndërsa furnizimi u keqësua. Kur kësaj i shtohen edhe gabimet e mëdha në fatura, fryrja e tyre dhe dyfishimi i kostos reale të shpenzuar, gjendja bëhet e papërballueshme”, tha ajo.

Në një konferencë të mbajtur për media në objektin e Kuvendit të Kosovës, ajo tha se çmimet e papërballueshme të energjisë elektrike për qytetarët në këtë kohë krize dhe papunësie janë shqetësuese.


Kadaj-Bujupi tha se kur resurset natyrore energjetike janë potencial i fuqishëm për zhvillim, të vuash nga mungesa e rrymës dhe të paguash çmimin më të shtrenjtë në Evropë është paradoks.

“Sot, rreth 3 vite më pas, furnizimi me rrymë nuk është përmirësuar, investimet për përmirësimin e rrjetit, ndërrimin e orëve dhe zvogëlimin e humbjeve nuk janë në nivelin e kontraktuar dhe aspak transparente, ndërsa çmimi i energjisë po vazhdon të rritet nga muaji në muaj. Që po i bie se përfitimet individuale të atij privatizimi po i paguan shtrenjtë xhepi i qytetarëve, nëpërmjet faturave që herë janë të shtrenjta e herë janë të fryra, tash e tri vite në mënyrë të vazhdueshme. Kjo kosto dhe pasiguri energjetike po e rëndon standardin e jetës së familjeve, amvisëritë, po e vështirëson të bërit biznes dhe, në mënyrë zinxhirore, po shkakton largimin e investitorëve potencialë, për të cilët kushti kryesor për të investuar në Kosovë, është furnizimi i rregullt me energji elektrike”, theksoi shefja e deputetëve të AAK-së në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/