LAJMI I FUNDIT:

Qeveria miraton ndryshimin e ligjit për Trepçën

Qeveria miraton ndryshimin e ligjit për Trepçën

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme aprovoi propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit 04/L-35, për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.

Ky ndryshim u vendos në mënyrë unanime nga te gjithë anëtarët qe ishin të pranishëm, i cili hyri menjëherë në fuqi dhe ju bashkëngjit planit legjislativ.

Me këtë propozim Kryeministri, Isa Mustafa, i ka ftuar të gjithë të pranishmit të votojnë për, pasi sipas tij, ky propozim ka qenë harmonizuar, pasi që është punuar që një kohë të gjatë.


“Propozoj për rend të ditës shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit me numër 04/L-35 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Nuk kishim shqyrtuar sot pika të ndryshme sepse jemi të lidhur me seancën e Kuvendit, por iu propozoj që vetëm ta shqyrtojmë këtë pikë”, tha Mustafa.

E Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se me ndryshimin e këtyre dy neve të caktuara, do të rregullohen më mirë afatet kohore të dorëzimit dhe zbatimit të këtyre planeve për riorganizim.

“Më lejoni që para jush të paraqes projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Duke pasur parasysh problematikën e krijuar me afatet kohore të zbatimit të planeve për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, ne kemi parë të arsyeshme që të bëjmë plotësim-ndryshimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, në mënyrë që t’i rregullojmë më mirë afatet kohore të dorëzimit dhe zbatimit të këtyre planeve për riorganizim. Ne i kemi bërë dy ndryshime, të dy nene të caktuara, me të cilat këto periudha kohore rregullohen shumë më mirë, prandaj iu ftoj që ta miratojmë këtë Projektligj”, tha Stavileci.

Pasi që të gjithë të pranishmit ishin pro ndërrimit të këtij ligji, Mustafa konstatoi aprovimin e këtij Ligji. “Konstatoj se Qeveria aprovoi propozimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Dhe po ashtu ky s’ka qenë pjesë e planit legjislativ, propozoj që t’i bashkëngjitet planit legjislativ për këtë vit”, ka deklaruar kryeministri Mustafa. /Telegrafi/