LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Mitrovicës dhe Trepça mbështesin institucionet e Kosovës

Komuna e Mitrovicës dhe Trepça mbështesin institucionet e Kosovës

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë, ka vizituar të hënën ndërmarrjen publike “Trepça”, ku janë pritur nga menaxheri, Ahmet Tmava, me ç’rast kanë biseduar për gjendjen aktuale në “Trepçë” dhe miratimin e ligjit për të.

Menaxheri Tmava, ka njoftuar drejtuesit komunalë me gjendjen aktuale në këtë gjigant, duke thënë se ka kthesa pozitive sa i përket realizimit të planeve prodhuese dhe normalizimit të proceseve.

Sipas tij, punëtorët janë shumë të motivuar për prodhim dhe se po arrinë rezultate të mira. “Edhe sot, kur pritet që Kuvendi i Kosovës të merr një vendim shumë të rëndësishëm për “Trepçën”, gjendja është normale, ndërsa punëtorët shprehin besimin e tyre të plotë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tmava.


Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se iu gëzohet sukseseve të “Trepçës dhe se kjo dhe menaxhmenti i saj çdo herë e kanë mbështetjen e plotë të drejtuesve të komunës dhe institucioneve të pushtetit lokal, por mbi të gjitha e kanë mbështetjen e qytetarëve të komunës së Mitrovicës e të rajonit.

Ata janë pajtuar në vlerësimet se “Trepça” është një pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe se e tillë duhet të mbetet.

Që të dy bashkëbiseduesit ju kanë dhënë mbështetje të plotë institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjet e tyre për zgjidhjen e problemeve të “Trepçës”, përkatësisht pengimin e procesit të likuidimit të saj, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të kishte pasoja të rënda për të gjithë. /Telegrafi/