LAJMI I FUNDIT:

Veteranët, politikanëve: Mos u nënshtroni presioneve serbe

Veteranët, politikanëve: Mos u nënshtroni presioneve serbe

Organizata e veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, që mos të bie pre e presioneve të Serbisë, por të aprovojë Ligjin, me të cilin “Trepçës”, i hapet një perspektivë e re sa i përket zhvillimit ekonomik.

OVL e UÇK-së, përmes një komunikate për media ka mbështetur kërkesat e minatorëve të Trepçës, që Ligji për “Trepçën” , të mos shtyhet, por të aprovohet menjëherë.

Sipas kësaj komunikate, dihet se Serbia, nuk ia dëshiron të mirën “Trepçës”, Kosovës dhe popullit shqiptar, dhe këtë e ka dëshmuar me krimet që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë. “Trepça është pronë e Kosovës, e qytetarëve të saj, andaj për “Trepçën”, duhet të vendosin vetëm institucionet e Kosovës, menaxhmenti i Trepçës dhe minatorët e saj.


“Trepça”, është pasuria kombëtare e Kosovës dhe Kosova duhet të udhëheq me këtë gjigand ekonomik.

Veteranët e UÇK-së, konsiderojnë se “Trepça” ka qenë dhe është e Kosovës, do të mbetet gjithmonë e popullit të saj dhe në asnjë mënyrë, me asnjë çmim nuk do të lejojmë që në “Trepçë”, të përzihen hordhitë serbe të Beogradit, ndërkaq Serbia duhet të përgjigjet për krimet që i ka bërë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, por edhe për krimet ekonomike që i ka bërë në Kosovë”, thuhet mes tjerash në komunikatë, të nënshkruar nga kryetari i OVL e UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi.

Veteranët e Mitrovicës në përkrahje u kanë dalë edhe veteranët e UÇK-së në Pejë. /Telegrafi/