LAJMI I FUNDIT:

Deputetët e Aleancës qëndruan me minatorët grevistë të Stantërgut

Deputetët e Aleancës qëndruan me minatorët grevistë të Stantërgut

Përfaqësues deputetësh të GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vizituan sot minatorët grevistë, në ambientet e tyre në Minierën e Stantërgut. Në mesin e tyre qëndruan kryetarja e Grupit Parlamentar, Donika Kadaj-Bujupi dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Në takim me deputetë e Aleancës, minatorët grevistë ngritën një kërkesë fillestare, që brenda 24 orëve Kombinati “Trepça” të kthehet nga ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike.


Ishte qëndrim i përbashkët që “Trepça”, si aset kryesor për zhvillim ekonomik dhe simbol i rezistencës për Kosovën, të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion.

Deputetët e Aleancës panë një gatishmëri tek punëtorët që të qëndrojnë tutje në marrjen e veprimeve, deri në triumfin e të drejtës për “Trepçën”.

Minatorët falënderuan deputetët për qëndrimet e tyre, dje, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për vizitën sot në minierë. Ata shprehën mllefin ndaj vendimeve të gabuara të Qeverisë së Kosovës dhe të deputetëve të cilët i votuan ato propozime.