LAJMI I FUNDIT:

Mbi 1300 kërkesa për hise në Trepçë

Mbi 1300 kërkesa për hise në Trepçë

Numri i kompanive, shoqërive të ndryshme aksionare apo edhe punëtorëve që kanë kërkuar hise në Trepçë ka arritur në mbi 1 mijë.

Për rreth një vit sa ka zgjatur procesi i pranimit të kërkesave nga kreditorët, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë ardhur 1303, prej të cilave 2 aplikacione janë kërkesa kolektive të punëtorëve të Trepçës.

Zyrtarë të kësaj agjencie i kanë thënë KTV-së se këto kërkesa ende nuk janë shqyrtuar.


Ekspertë të ekonomisë dhe shoqëria civile kanë kritikuar qeverinë që, sipas tyre, s’ka guxim për t’i çuar proceset e mëdha deri në fund. Ata kanë kërkuar që në asnjë mënyrë të mos lejojnë që pasuria e Kosovës të jetë pjesë e negociatave në Bruksel.

Situata e krijuar me Trepçën po përcillet edhe në Bruksel.

“Jemi duke e përcjellë situatën nga afër. Është me rëndësi që të shmanget çdo eskalim i mundshëm i situatës. Sidoqoftë, ekzistojnë mundësi të tjera për të shmangur likuidimin e Trepçës. Është mirë që ligji i ri i miratuar të hënën në Kuvend në Prishtinë mundëson më shumë kohë për ta adresuar çështjen”, ka thënë Anca Paduraru.

Përcaktimi i borxheve të vërteta që Trepça u ka kreditorëve ka mbi 15 vjet që është duke u diskutuar.

Në fillim ishte administrata e UNMIK-ut që kishte nisur procesin për të qartësuar nivelin e borxheve. Një informatë e dhënë tregonte për rreth gjysmë milioni dollarë borxhe që kishte ky gjigant. Edhe në Serbi janë dhënë disa versione sa u përket borxhlinjve të vërtetë të Trepçës. /koha/