LAJMI I FUNDIT:

Baraliu: Vendimi i Kuvendit për Trepçën është antikushtetues

Baraliu: Vendimi i Kuvendit për Trepçën është antikushtetues

Vendimi i Kuvendit të Kosovës për plotësimin e ligjit që e përcakton fatin e gjigantit metalurgjik Trepça, po vlerësohet të jetë kundër kushtetues. Kështu po mendon profesori i së Drejtës Biznesore Ndërkombëtare, Mazllum Baraliu.

Sipas tij, përmes këtij vendimi, Kuvendi ka fuqizuar Komunat për pronën nacionale të vendit.

“Qeveria dhe Kuvendi e kanë miratuar një akt ligjor kundër kushtetues, për arsye se lejojnë mundësinë që në disa komuna, ato të jenë faktor sikurse të nivelit qendrorë. Pra në mirëkuptim dhe në marrëveshje me disa Komuna mund të mos bëhet privatizimi i disa ndërmarrjeve dhe disa tjerave. Pra në mënyrë selektive në kundërshtim me ligjin mbi AKP-në dhe në kundërshtim me Kushtetutën e cila thotë se vetëm shteti menaxhon me të gjitha pasurit”, ka thënë Baraliu.


Ndërkaq sipas tij, Kushtetua e Kosovës thotë se të gjitha pasuritë në Kosovë janë pronë e pasurisë së shtetit të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës me këtë e ka bërë një zgjatje të agonisë së ekonomisë së Kosovës, respektivisht Trepçës”, ka thënë Baraliu.

Ndërkaq, sa i përket kërkesave të kreditorëve të Trepçës që janë afër 1.4 miliard euro, ato nuk do të shqyrtohen nga 2 shkurti ashtu siç kishte marrë vendim Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, pasi që vendimi i Kuvendit të Kosovës për shtyrje edhe për së paku 18 muaj, zhvlerëson vendimin e kësaj gjykate.

Baraliu ka sqaruar se vendimi i Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e projektligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasuritë e tyre, i jep kohë shtesë AKP-së për përgatitjen e planit për riorganizimin e “Trepçës”.

“Në Kushtetutë askund nuk shkruan që ekziston ndonjë Gjykatë e Veçantë Supreme, është vetëm Gjykata Supreme e cila më pas mund të ndahet në departamente. Kuvendi i Kosovës ka të drejtë, ngase është organ për nxjerrje të ligjeve, ka të drejtë pikërisht që të nxjerr ligje, të ndryshojë ligjet, pra nuk ka asnjë problem sa i përket AKP-së, ajo është agjenci ekzekutive. Edhe AKP është dashur të suprimohet sikurse edhe Oda e Veçantë. Nuk është diskutabil vendimi i Kuvendit”, ka thënë Baraliu. /Tribuna/