LAJMI I FUNDIT:

BQE, 600 miliardë euro për të luftuar deflacionin!

BQE, 600 miliardë euro për të luftuar deflacionin!

Banka Qendrore Europiane (BQE), pritet që të shpallë sot vendimin për të hedhur në tregun e përbashkët rreth 600 miliardë euro me qëllim ngritjen e inflacionit në normën 2 për qind, të vendosur si objektiv. Banka do t’i shpenzojë paratë duke blerë bono thesari të vendeve të unionit, një lëvizje kjo që gjithsesi nuk shihet si e mjaftueshme për t’ia arritur qëllimit, pasi konsiderohet si arma e fundit në dorë të saj për të luftuar deflacionin.

Kërkesat nga aktorët ekonomikë për një vendim të tillë janë shtuar që prej dhjetorit 2014, kur inflacioni kaloi në shifra negative. Megjithatë, grupet e interesit janë dyshues për këtë nismë, pasi sipas tyre kjo vetëm transferon riskun nga vendet europiane në Bankën Qendrore. Gjithashtu, programet për rritjen e inflacionit deri më tani kanë qenë të ndaluara në Eurozonë.

Industria gjermane sigurisht që e pret këtë vendim, me gjithë vetëdijen se pasojat nuk do të jenë aq pozitive sa shpresohet. Këtë e konfirmon vetë presidenti i Federatës Gjermane të Industrive, Ulrih Grilo, sipas të cilit nuk mjaftojnë reformat monetare.


“Ndikimi që do të ketë kjo masë do të jetë i kufizuar për mendimin tim. Kemi nevojë për masa të tjera, si investime dhe reforma strukturore për të rritur konkurrencën”.

Edhe kreu i Sindikatave Tregtare gjermane, Rainer Hofman, është i mendimit se tregjet kanë para të mjaftueshme në qarkullim dhe se një masë më e mirë do të ishte vendosja e një takse për transaksionet financiare.

Shumë shtetas gjermanë janë dyshues për këtë nismë dhe i frikësohen përshkallëzimit të krizës, por janë siguruar nga kancelarja Angela Merkel. “E kam thënë gjithmonë që nuk e kemi kapërcyer plotësisht krizën e euros, por Banka Qendrore i merr vendimet në mënyrë të pavarur”.

Por pavarësisht fjalëve të ngrohta të Merkelit, zërat se Banka Qendrore do të përjashtojë Greqinë nga skema e blerjes së bonove tregon se institucioni më i lartë monetar në Bashkimin Europian nuk është 100 për qind i sigurt për suksesin e kësaj mase. /Telegrafi/