LAJMI I FUNDIT:

Dhjetëra miliona euro për tenderë njëburimorë

Dhjetëra miliona euro për tenderë njëburimorë

Shuma të mëdha parash të buxhetit të Kosovës, gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar përmes tenderëve njëburimorë. Në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se në këtë formë janë proceduar dhjetëra tenderë, e ku fitues të tyre në disa raste janë edhe kompani të huaja që kanë kryer punë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), si dhe Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK).

KEK dhe PTK prijnë për numër të madh të tenderëve të kësaj natyre. Ndërkaq, institucione tjera të larta të shtetit në këtë formë kanë proceduar gjatë vitit që lamë pas nga një apo edhe dy tenderë.

Më 26 mars të vitit 2014, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përmes kësaj forme të prokurimit e kishte përzgjedhur kompaninë “Alstom Power GmbH” si fituese e tenderit “Ndërrimin e shtëpizës së jashtme të turbinës së presionit të lartë të bllokut B1”. Bazuar në të dhënat e siguruara nga gazeta shihet qartë se vlera e këtij tenderi pa e llogaritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është 4 milionë e 54 mijë euro.


Në nëntor të vitit që lamë pas Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përmes tenderit njëburimor e kishte përzgjedhur kompaninë polake “Turbo Care”, si fitues të tenderit “Riparimet në stabilimentet e turbogjeneratorëve pas defektazhes njësia A4 dhe A5 TC Kosova A” e ku vlera e kontratës ishte 1 milion e 302 mijë e 115 euro.

Po ashtu, në bazë të dokumenteve të siguruara nga gazeta “Zëri” shihet se më 27 maj të vitit që lamë pas Ministra për Forcën e Sigurisë së Kosovës e kishte përzgjedhur kompaninë “Netra” si fituese e tenderit “Furnizim me pajisje radiotaktike për nevojat e FSK-së”, e ku vlera e kontratës ka qenë 1 milion e 199 euro.

Po ashtu, në maj të vitit që lamë pas Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes tenderit njëburimor e kishte përzgjedhur kompaninë sllovene “CETIS” si fituese e tenderit për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend, që u mbajtën gjatë vitit të kaluar. Bazuar në të dhënat e siguruara shihet qartë se vlera e këtij tenderi ka qenë më e madhe se 180 mijë euro.

Po ashtu edhe Posta dhe Telekomi i Kosovës në mars të vitit që lamë pas, përmes tenderit njëburimor e ka përzgjedhur kompaninë “Alcatel Lucent & Cacttus”, si fituese e tenderit “Mirëmbajtja e pajisjeve të Valës”. Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik shihet se vlera e kësaj kontrate është 3,025,525.96 euro. /Zëri/Telegrafi/