LAJMI I FUNDIT:

Së shpejti linja hekurudhore Kosovë-Shqipëri

Së shpejti linja hekurudhore Kosovë-Shqipëri

Së shpejti pritet që të fillojnë punët në fushën e infrastrukturës hekurudhore për ndërtimin e linjës Shqipëri – Kosovë. Kjo është bërë e ditur në takimin e ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.
Ata theksuan se kanë rënë dakord që menjëherë të filloj puna nga grupet e ekspertëve.

Ministri Zharku, tha se dy vendet janë shprehur të gatshme që të gjejnë mekanizma për financim dhe të fillohet me studimin e fizibilitetit nga të dyja Qeveritë. “Në fushën e infrastrukturës hekurudhore shprehëm gatishmërinë tonë dhe interesimin për një lidhje me një vijë hekurudhore në mes Shqipërisë dhe Kosovës. natyrisht që pjesa jonë është vetëm 17 kilometra, që një punë jashtëzakonisht e madhe mbetet nga ana e Qeverisë Shqiptare, por që jemi të gatshëm të gjejmë mekanizma për financim dhe të fillojmë me studimin e fizibilitetit nga të dyja Qeveritë”, tha Zharku.

Ai tregoi se kanë biseduar edhe për mënyrën e menaxhimit dhe operimit të rrugës së kombit. “Nuk kemi biseduar që të kemi një kompani, por është çështje e shpalljes së interesit se të dy vendeve të ndryshme. Nuk e kemi biseduar si të përbashkët, por besoj është çështje procedurash. Nuk kemi plan aktual, ajo është çështje kur diskutohet, por aktualisht nuk e kemi ndonjë plan afatshkurtër që të kemi koncesion për autostradën Prishtinë-Morina”, tha Zharku.


E Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka thënë se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar Kosovën të integrohen në të gjitha organizatat ndërkombëtare që lidhen me transportin dhe hekurudhën.

“Rruga e Kombit përbën njërën nga krye-temat e diskutimeve tona, pasi që është një aset i përbashkët kombëtarë dhe kërkon shërbimin nga të dyja palët, koordinimin dhe shërbimin ndaj saj. Për ne gjithashtu përbën një prioritet qoftë mirëmbajtja e saj, sjellja në mënyrë të vazhdueshme në standarde, por gjithashtu një sfidë e madhe është që t’i japim sa më shumë vitalitet dhe sa më shumë qarkullim këtij arteri të rëndësishëm të dy kombeve”, tha Haxhinasto.

E sa i përket portit Shqiptarë, ai tha se ata kanë rënë dakord që ekspertët së shpejti të përgatisin një pako të veçantë për t’i shërbyer biznesit të Kosovës në Portin e Shqipërisë. “Kemi folur edhe për mundësit portale të Shqipërisë. Jemi në fazën e rivlerësimit dhe për këtë kemi rënë dakord që ekspertët tanë së shpejti të përgatisin një pako të veçantë për t’i shërbyer biznesit të Kosovës në Portin e Shqipërisë, në mënyrë që ta lehtësojmë atë sa më shumë dhe të rrisim volumin e porteve e Shqipërisë”, tha Haxhinasto.

Po ashtu në këtë takim është folur edhe për mundësin e rivendosjes së linjës Prishtinë-Tiranë, por sipas Zharkut, ajo duhet të rishqyrtohet edhe një herë, për shkak se ata kanë vlerësuar se rruga e kombit ndoshta e bën edhe të panevojshme këtë vijë ajrore. /Telegrafi/