LAJMI I FUNDIT:

Shtërpca kthen taksën për hyrje në Parkun e Brezovicës

Shtërpca kthen taksën për hyrje në Parkun e Brezovicës

Komuna e Shtërpcës e ka vendosur të aplikojë taksën prej 3 eurosh për çdo qytetar që futet me makinë në kompleksin e Brezovicës. Kjo taksë ishte hequr në maj të vitit të kaluar nga Komuna e Shtërpcës së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, shkruan sot Koha Ditore.

Nënkryetari i Komunës së Shtërpcës, Nikola Kërstiq, ka konfirmuar vendosjen e taksës në nivelin çfarë ka qenë para heqjes së saj. Ai ka thënë se “rampa” e cila ishte rrënuar nuk është rikthyer, por se është duke u aplikuar taksa.

E ish-ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, vendimin e kryetarit të tashëm të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, e ka quajtur të kundërligjshëm.


“Është një vendim në Ministrin e Mjedisit të cilin e kam marrë për të hequr këtë pengesë, pasi edhe në atë kohë e edhe tash një pengesë e tillë është e kundërligjshme. Rivendosja e saj është akt penal”, ka thënë Gashi për “Koha Ditore”. Në profilin e tij në “Facebook”, Gashi ka shkruar se tash është rikthyer plaçkitja me gjobë hyrëse në Parkun Nacional, përkatësisht vizita në shtigjet e skive në Brezovicë. /Telegrafi/