LAJMI I FUNDIT:

Në 12 komuna nuk fillon procesi i legalizimit

Në 12 komuna nuk fillon procesi i legalizimit

Procesi i regjistrimit të ndërtimeve pa leje ende nuk ka filluar në 12 komuna të Kosovës. Gjashtë prej tyre janë të banuar me shumicë serbe dhe një me shumicë turke. Ndërsa, Gjilani, Kamenica, Klina, Podujeva dhe Vitia, janë pesë qytetet e tjera me shumicë shqiptare që ende nuk e kanë filluar këtë proces.

Në komunat që tashmë ka filluar ky proces, duke përfshirë edhe Mitrovicën Veriore, gjithçka është duke shkuar mirë dhe ashtu siç e parasheh ligji.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur për KosovaPress, shefi i divizionit të ndërtimit në Ministrin e Mjedisit, Xhemajl Metolli. Por, Ministria e Mjedisit ende nuk ka informata se pse nuk ka filluar regjistrimi në komunat tjera. “Me thënë të drejtën nuk mundem me ditë saktësisht sepse nuk janë deklaruar ende se për çfarë. Megjithatë ne e kemi shpërndarë një pyetësor nëpër komuna për qëllimin që me i marrë informatat pse nuk ka filluar, përkatësisht tek ato që ka filluar deri ku ka arritur numri, mirëpo se çka është problemi tek ato nuk e kemi informatën ende”, tha Metolli.


Ai thotë se nuk dihet nëse do të ketë kohë shtesë për këtë regjistrim, pasi ky afat është ligjorë dhe për ta ndryshuar atë duhet të kalohet nëpër shumë procedura, e një gjë e tillë merr shumë kohë. Metolli, tregon se Komuna e Prishtinës, është njëra nga komunat ku ky proces është duke u zhvilluar më së miri, pasi që sipas tij, Komuna e ka dyfishuar numrin e sporteleve, vetëm për të ju përgjigjur të gjitha kërkesave.

Këtë e vërteton edhe Hazir Zhitia, Koordinator për Çështje Teknike të Legalizimit në Komunën e Prishtinës, i cili për KosovaPress tha se deri më tani janë paraqitur mbi 10 mijë aplikantë në këtë komunë.

Edhe pse gjatë ditës paraqitën nga 500 deri në 700 qytetarë, ai tha se një gjë e tillë nuk paraqet asnjë problem, pasi të gjithë aplikuesit që paraqiten, brenda ditës mund ta kryejnë këtë obligim.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur që deri në orën 3 e gjysmë apo katër të ngel ndonjë qytetar pa përfunduar punë. Sa për numrin e tyre të paraqitjes, çdo ditë deri më tani, janë paraqitur 500 deri në 700 regjistrues të cilët të gjithë kanë kryer punë, po për numrin e zyrtarëve tanë nuk është numër i vogël, mirëpo me angazhim të pashoq, me angazhim maksimal, gjithherë kanë kryer punë… Mund të konstatoj se nuk ka probleme esenciale edhe pse për aktivitet të tilla ne i kemi ftuar vetë qytetarët që të paraqiten, është ditur që do të ketë fluks të madh të qytetarëve edhe kuptohet se kemi paraparë edhe problemet më të vogla gjatë këtij procesi, por edhe janë të tej kalueshme”, tha Zhitia.

Ndërsa sa i përket atyre qytetarëve që në vitin 2010 kanë aplikuar për regjistrim, Zhitia ka thënë se ata nuk kanë nevojë më të aplikojnë, por vetëm janë të detyruar që të shkojnë në komunë dhe t’i identifikojnë edhe një herë objektet e tyre.

“Gjithmonë po flas për ata që kanë aplikuar në vitin 2010, është e nevojshme dhe e domosdoshme që të vijnë dhe ta identifikojnë objektin e tyre së bashku me zyrtarët dhe bashkëpunëtorët tanë, në mënyrë që kjo listë e 2010-ës e cila bazohet edhe në ligj të inkorporohet në regjistrin final kombëtar të tërë Kosovës dhe të kthehet në Komunën e Prishtinës për trajtim të atyre objekteve që deri më tani nuk janë trajtuar”, tha ai.

Edhe qytetarët Prishtinës, të cilët kishin ardhur për regjistrim, nuk u ankuan se kanë pritur shumë ose se kanë pasur ndonjë problem.

Zejnullah Ademi kishte ardhur nga Presheva për ta regjistruar një shtëpi të cilën e ka në Prishtinë. Ai tha se edhe pse ka pasur shumë qytetarë, atij nuk i ka rënë të pres shumë. “Kjo gjë që është bërë nga ana e komunës së Prishtinës, apo edhe organeve më të larta që kanë dhënë urdhër, është diçka që mund lehtësimet e të gjitha parregullsive që janë bërë nga pronarët e shtëpive të tyre…Brenda ditës, kam ardhur sot në ora 12 prej Preshevës, qe po e mbushi formularin, numrin 41 e kam pasur, mbi 500 vetë kanë kaluar, pra 500 ose 600 vetë janë, por unë mbërrita dhe vetëm po e mbushi formularin dhe përfundoj”, tha Ademi.

Ndërsa sipas Halil Mujkut, i cili kishte ardhur të bëj regjistrimin e objektit të vëllait të tij, edhe pse procesi po shkon mirë dhe me rregull, ai mendon që regjistrimi i objekteve të cilat janë ndërtuar moti është e panevojshme. Ai këtë gjë e quan jo në rregull.

“Sigurisht që është me rëndësi, por diçka është e pabesueshme të kërkohet aplikacioni për legalizimin e objekteve që janë ndoshta mbi 80 vjet apo 50 vjet i ndërtuar. Unë kam ardhur për vëllanë që e ka mbi 60 vjet objektin e ndërtuar. Kjo diçka po më duket jo në rregull, po të ishte prej ditës kur është bërë incizimi ndoshta do të ishte më reale”, tha Mujku.

Parashihet se në tërë Kosovën, numri i ndërtimeve pa leje është mbi 140 mijë, ndërsa deri më tash regjistrimit i janë përgjigjur vetëm mbi 50 mijë prej tyre.

Afati ligjor deri kur kanë të drejt qytetarët e Kosovës të paraqitën për t’i regjistruar objektet e tyre është data 5 shkurt 2015. /kp/Telegrafi/