LAJMI I FUNDIT:

Një miliard euro investime në “Kosovën e Re”

Një miliard euro investime në “Kosovën e Re”

Kostoja totale e investimit në Projektit për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re” do të jetë rreth një miliard euro. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Kjo e fundit ka njoftuar se Komisioni për Vlerësimin e Ofertave, në prezencë të Komitetit Drejtues të Projektit (KDP), Këshilltarit të Transaksionit dhe Këshilltarit Strategjik, dhe anëtarëve vëzhgues, ka bërë hapjen e Propozimit Financiar për Fazën I për Termocentralin Kosova e Re, e dorëzuar nga ofertuesi Contour Global me seli në SHBA.

“Duke u bazuar në kriteret e Kërkesës për Propozime, oferta e investitorit Contour Global përfshin Normën e Brendshme të Shlyerjes së Ekuitetit, e cila do të aplikohet për ekuitetin e kontribuar përgjatë jetëgjatësisë së Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë, si dhe Koston Maksimale të Zhvillimit të Projektit, e cila nuk mund të tejkalohet dhe përfshin vetëm kostot specifikisht të lejuara për zhvillimin e projektit”, thuhet në njoftimin e MZHE-së.


Në hapje të Propozimit Financiar të ftuar kanë qenë anëtarët vëzhgues nga Banka Botërore, BERZH, USAID, KfW, Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera vendore që kanë të bëjnë me sektorin, KOSTT, KEK.