LAJMI I FUNDIT:

Modeli armen për “Kosovën e Re”

Modeli armen për “Kosovën e Re”

Kompania “Contour Global” e ka shfrytëzuar në maksimum të qenët e vetme në garën për projektin energjetik “Kosova e Re”. Kërkon që të ketë përfitime maksimale për mjetet që do t’i investojë në ndërtimin e një termocentralit të ri 600-megavatesh, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë përfitim që e synon kjo kompani amerikane do ta grumbullojë nga faturat e energjisë elektrike që do të paguajnë qytetarët e Kosovës, që llogaritet se janë më të varfrit në Evropë.

“Contour Global” ka kërkuar që “Norma e brendshme e shlyerjes së ekuitetit” apo siç njihet në gjuhën financiare si IRR, të jetë rreth 25 për qind.


Kaq është interesi që ky investitor e kërkon për paratë e veta që do t’i investojë në këtë projekt, apo rreth 30 për qind të projektit.
Në bazë të kësaj norme të kërkuar, ky investitor po synon që t’i kthejë paratë e investuara për vetëm 4 vjet.

Ndërsa gjatë 16 vjetëve të tjerë sa është jetëgjatësia e projektit të gjitha të hyrat do të llogariten si fitim i pastër për këtë kompani amerikane. Nëse Qeveria e Kosovës miraton një kërkesë të tillë, qytetarët e Kosovës do të detyrohen të paguajnë tarifa më të larta të energjisë. /Telegrafi/